Prej ditës së hënë, më 16 prill e deri më 22 prill, çdo ditë, shfaqja “Nderi i Kombit”, do të ngjitet premierë në sallën Moliere të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Me regji nga Erion Isai dhe producente Gentiana Yildizoglu, kjo vepër trajton një aktualitet të madh, ku ‘të jesh i zgjuar në ditët e sotme të bën budall’, siç shprehet regjisori Isai.
Në thelb të veprës qëndron personazhi kryesor, “Nderi”, i cili zotëron një fabrikë prodhimi të linjave të veshmbathjeve dhe njoftohet një ditë nga Presidenti i Republikës se së shpejti do të dekorohet me urdhërin “Nderi i Kombit” si njeri i ndershëm, pagues taksash, respektues pagash dhe i rregullave të punonjësve.
I dyzuar për ta pranuar këtë titull, por i nxitur nga bashkëshortja e vet, ai e pranon titullin, duke vënë si kusht fshehtësinë e lajmit deri në ditën e dorëzimit të këtij nderi që po i bëhet.
Por me nxitjen e qëllimtë të së shoqes, lajmi për dekorimin e tij merret vesh nga të gjithë. Sapo ndodh diçka e tillë, personazhi kryesor futet në një vorbull zhvatëse nga gazetarët, politikanët, shoqëria civile, punëtorët, etj.
Një kërkesë absurde vjen më vonë, me rrjepjen e lëkurës për ‘interes të lartë kombëtar’. Ai përfundon duke u dekoruar vetëm më brekët e veta.
“Nderi i Kombit” vjen nën interpretimin e një kasti të shkëlqyer aktorësh, ku përmenden emrat: Alfred Trebicka, Suela Konjari, Violeta Trebicka, Albana Sancolli, Aleks Prodani, Engjëll Hoxha dhe Serkida Rrapollari.
Mos e humbisni këtë shfaqje, prej orës 19:00, duke filluar që prej ditës së sotme e deri të dielën.