Filmi i ardhshëm i sagës ”Star Wars: The Last Jedi”, ka zaptuar të gjitha kinematë përqark botës, duke shënuar një rekord në shitjen e biletave, me shfaqjen e premierës në shumë shtete ditën e nesërme, më 15 dhjetor.
Por, mesa duket, nuk janë vetëm fansat e kësaj sage që mezi po presin ta shikojnë filmin. NASA ka njoftuar se do të shfaqi për të gjithë austronautët në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, filmin “The Last Jedi”.
“Jam në gjendje të konfirmoj se filmi do të transmetohet për të gjithë stafin në hapësirë, por nuk kemi vendosur akoma një datë të caktuar. Ata zakonisht i marrin filmat si dokumente dixhitale, të cilat më pas i shohin në laptop apo në projektorin që disponojnë.”, është shprehur Dan Huot, drejtori i Marrëdhënieve me Publikun të NASA.
Pra, të shikosh një film, ngjarjet e të cilit zhvillohen në hapësirë dhe në anije kozmike, teksa ndodhesh vet në hapësirë… Sa fantastike duhet të jetë?! Me siguri çdokush prej fansave të “Star Wars” do të donte të ishte në vendin e këtyre austronautëve, të cilët po bëjnë realitet ëndrrën e çdo personi të fiksuar pas sagës së famshme!
Ndërkohë, në Shqipëri, premiera e filmit të famshëm është dhënë dje në kinemanë Cineplexx, ashtu siç kishim lajmëruar më parë. Nëse e keni humbur, mos u mërzisni: Premiera në kinemanë Imperial & Millenium jepet sot dhe transmetimi i filmit do të vazhdojë përgjatë gjithë javës.