Misterioz dhe me doza të larta horrori që të lënë në suspancë për gati gjysmën e kohëzgjatjes së tij, filmi më i fundit i regjisorit Alex Garland, të fut në një botë prej nga së cilës është e vështirë të dalësh i njëjti person.
“Annihilation” është një film ku spiktatet forca femërore, në misionin për të zbuluar origjinën e një fenomeni misterioz që ka mbuluar zonën e Floridës pas rënies së një meteori.

Në rolin kryesor vjen e madhërishmja Natalie Portman, e cila luan rolin e një biologeje (Lena), në luftën për të zbuluar se çfarë i ndodhi burrit të saj (Kane) në misionin e tij të fundit, prej nga të cilit u zhduk për t’u gjetur më vonë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Lena bashkohet me 4 femra të tjera (një fizikante, ndihmës mjeke, psikologe dhe gjeologe), ku së bashku do të futen në zonën e rrezikshme në një përpjekje për të analizuar mjedisin përreth dhe për të zbuluar se çfarë i ka ndodhur ushtarëve që janë zhdukur nga ajo zonë, e quajtur ‘X’. Por, Lena mban një sekret të fshehur nga skuadra e saj… Askush nuk e di se i vetmi i mbijetuar nga misionet e mëparshme, është burri i saj Kane.
Sapo personazhet hyjnë brenda Zonës X, regjisori fut në skenë zhanre dhe influenca të ndryshme: Bisha mutante që qarkullojnë në skutat e errëta, mbetje njerëzish të transformuara dhe besimi i pjestarëve të skuadrës mbi njëri-tjetrin që sfidohet vazhdimisht nga ngjarjet që ndodhin.

Dalëngadalë, efektet e mjedisit përreth zonës ‘X’ fillojnë të ndihen në trupat dhe mendjet e 5 eksplorueseve. Shumë shpejt ato do të kuptojnë se po përballen me një forcë aliene, e cila është në gjendje të ndryshojë dhe modifikojë ADN-të e çdo gjallese të gjallë, përfshirë edhe atë të njeriut. Truri i tyre fillon të ndryshojë dhe realiteti nga imagjinata janë bërë të vështira për t’u dalluar.
I gjithë filmi të mban në pritje: Çfarë do të ndodhi? A do ta pushtojë kjo racë aliene njerëzimin? Apo ka ardhur në paqe?
Annihilation nuk është një film horror, por tensioni dhe terrori mbushin të gjithë atmosferën e këtij filmi, që intensifikohet më shumë me afrimin e skuadrës drejt destinacionit final: Një fanar që është edhe vendi ku u rrëzua meteori dhe njëkohësisht epiqendra e të gjithë gjërave të çuditshme që po ndodhin.

Skena finale e filmit të mbërthen fort pas divanit/ krevatit tuaj dhe do ta gjeni veten me një milion pyetje, më shumë se kur filluat ta shikoni këtë film. A ja vlen që të humbisni 2 orë për këtë prodhim kinematografik?
Do të thosha se nëse ju pëlqejnë filmat inteligjentë, që ngacmojnë vazhdimisht teorinë mbi të tashmen dhe të ardhmen drejt së cilës po shkon njerëzimi, atëherë mos e mendoni dy herë.
Por, nëse ju pëlqejnë filmat e thjeshtë, me një fund të qartë apo të lumtur, Annihilation me siguri nuk është filmi që ju do donit të shihnit për t’u shkëputur nga e përditshmja…
Trailer: