Mashtruesi nga Javier Cercas

“Mashtruesi” (përkthimi B. Shehu, botoi Dudaj, 2017), kështu mban titullin njëri prej romaneve (pa fiksion) të fundit të Javier Cercas, autorit që u bë i njohur në botë me romanin “Ushtarë të Salaminës”. Libri flet për sindikalistin spanjoll Enric Marco, (Enric Marco Batlle, 12 prill 1921), i cili, për rreth 35 vjet, kishte gënjyer, ndër të tjera, se ishte një i mbijetuar i një kampi përqëndrimi nazist, atij të Flossenburg-ut, në Gjermani. Kjo gënjeshtër e kishte ndihur të bëhej president i shoqatës Amicale di Mauthausen, të mbante ligjërata nëpër shkolla, të fliste nëpër konferenca, të merrte pjesë nëpër manifestime të ndryshme në lidhje me Holokaustin, të nderohej, të dëgjohej dhe në fund të konsiderohej hero i vërtetë. Mashtrimi ishte zbuluar më 2005, nga historiani Benito Bermejo, në prag të përvjetorit të çlirimit të kampit të Mauthausenit, me çrast do të organizohej një menifestim i veçantë në të cilin ishte parapë që Marco të merrte pjesë bashkë me presidentin spanjoll.

Dalja në dritë e këtij mashtrimi kishte zgjuar reagime të ndryshme, përgjithësisht indinjate, zemërimi dhe padurimi.

Marco nuk është mashtruesi i vetëm, i Holokasutit. Emra të tjerë të njohur i bashkohen klubit të tij: Herman Rosenblat, Binjamin Wilkomirski, Misha Defonseca, Martin Grey, Rosemarie Pence. Rosenblat dhe Wilkomirski, për shembull, kanë shkruar edhe libra.

Nuk do mend, Enric Marco ishte një mashtrues perfid, gënjeshtar i pashoq. Asnjë njeri me pak mend në kokë dhe me pak dhembshuri në shpirt nuk do të bënte atë që kishte bërë ai. E megjithatë, megjithatë, nëse për një moment e lëmë anash këtë fakt, Enric Marco, me mashtrimin e tij egoist, kishte bërë edhe një të mirë. Enric Marco, për ta bërë të besueshme biografinë e tij të rreme, kishte sajuar ndodhi, vuajtje e peripeci që në masën më të madhe u kishin ngjarë viktimave të vërteta të Holokaustit. Me këtë, pra, kishte hapur rrugë, sidomos në Spanjë, të njihej e vërteta për kampet e përqendrimit naziste (pothuajse të injoruara deri atëherë), të bëheshin studime, zbulime.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).