Në Gjilan është promovuar libri “Të ushqyerit e shëndetshëm është jetë” i autores Ajshe Leka, botim i Shtëpisë Botuese “Rozafa” nga Prishtina. Kequshqyerja është bërë sot shkaktari kryesor i sëmundjeve të ndryshme si dhe vdekjeve të parakohshme, gjithandej botës. Nga ky rrezik kërcënohen të gjithë ata që nuk dinë si të ushqehen. Mungesa e informacionit çon deri te gabimet në të ushqyer.
Qysh në shekullin XVIII, disa shkencëtarë nisën të shfaqnin idetë e tyre rreth rolit që ka ushqimi në mirëqenien e organizmit, ide këto që gradualisht u formësuan dhe i vunë kornizat e një shkence të veçantë, me të ashtuquajturin “revolucioni kimik” në Francë, në fund të shekullit të XVIII. Zbulimet e kësaj kohe u përpunuan dhe u avancuan në vitet e mëvonshme, për t’i vënë bazat e shkencës moderne të të ushqyerit në vitin 1926. Në dekadat e fundit, shkenca e nutricionit ka shënuar zhvillim të hovshëm në botë dhe tani ka arritur edhe tek ne.
Padyshim se në historikun e zhvillimit të kësaj shkence tek ne, emri i autores Ajshe Leka do të ketë një vend të rëndësishëm dhe të merituar. Për më tepër, Ajshe Leka është fituese e çmimit për letërsi shkencore në dobi të njeriut “Betim Muço” në SHBA (2018).
Prapa këtij libri qëndron një punë e mundimshme, voluminoze e autores, duke hulumtuar në literaturë për të dhënat më të reja dhe duke i ndërthurur ato me përvojat e veta, prandaj me të drejtë konsideroj se ky libër do të plotësojë literaturën shqipe të këtij zhanri, e cila edhe ashtu është e varfër.
Ndërkaq, autorja e librit, Ajshe Leka ka premtuar se shumë shpejt do të dalë libri i dytë i saj për të ushqyerit e shëndetshëm, ku është përqendruar te pasojat nga kequshqyerja.