Art & Kulturë

LETËRSIA JAPONEZE NË SHQIP

Letërsia japoneze i ofron lexuesit një krijimtari shumë të pasur dhe të larmishme në tema, stile dhe rrëfime. Ndër vite ajo ka treguar se tradita dhe moderniteti mund të bashkohen për të sjellë një letërsi të rafinuar, të fuqishme dhe tejet origjinale, përmes romaneve që, në dekadat e fundit, kanë pushtuar lexues nga e gjithë bota. Në këtë event do të diskutohet rreth letërsisë klasike japoneze, rreth parimeve estetike të artit japonez, veçanësisë dhe origjinalitetit të kësaj letërsie, si dhe receptimit nga lexuesi shqiptar.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet letërsisë bashkëkohore të autoreve gra në Japoni, të cilat e kanë konsideruar shkrimin si një mjet për të shprehur shqetësimet që rrjedhin nga ndryshimet në shoqëri, refuzimi i formave tradicionale të feminilitetit, si martesa dhe amësia, si dhe tejkalimi i identitetit gjinor. Po ashtu do të prezantohen autorë të rinj, të cilët do t’i ofrohen së shpejti lexuesit shqiptar.
Do të diskutojnë prof. Belfjore Qose, botuesja Vasilika Tafa dhe shkrimtari Andreas Dushi, nën moderimin e Anxhela Lepurit.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).