Në lartësinë e Malit të Kunorës, syri të joshet nga peizazhi me mrekullitë e natyrës së bukur të bjeshkëve të Mirditës, që të befasojnë me pamjen e tyre, të emocionojnë e të frymëzojnë me koloritin mbresëlënës, që i karakterizon ato.
“Kroi i Bardhë” e mori këtë emër sepse pasi dilte nga burimi, uji pastronte çdo gjë që kalonte. Shkëmbi nga kalon uji pasi del nga burimi ka marrë ngjyrën e bardhë, dhe nuk vishet me myshk siç ndodh rëndom. Këtu, vërtet bukuria dhe shenjtëria nuk kanë kufindarës. Ato njësohen ashtu, krejt natyrshëm, duke formuar magjinë jetësore të bjeshkëve të Kunorës në Mirditë.
Ky burim i rrallë ndodhet rreth 60 km në lindje të Rrëshenit, 20 km më tutje Kurbneshit mbi fshatin Kumbull, Mërkurth në faqen perëndimore të malit Kunorë, rreth 500 metra poshtë majës më të lartë në një nivel me një livadh me emër: Livadhi i Priftit, i ndarë midis tyre nga një përrua, afërsisht në nivelin e liqejve të Lurës, por në anën e kundërt të tyre.