Art & Kulturë

Historia tragjike e Romeo dhe Zhuljetës shqiptare

Personazhet e Romeo e Zhuljetës së Uilliam Shekspir i njohim të gjithë dhe historia tragjike e dashurisë së tyre është bërë frymëzim për shumë filma e shfaqje të ndryshme.

Por, a e dinit se në Tiranë ekziston një histori e ngjashme midis dy të dashuruarve? Në këtë version të historisë, Romeo dhe Zhuljeta tiranas quheshin Bukuria e Faqebardhi, një dashuri që do të përfundonte në tragjedi, sipas gojëdhënave të  banorëve të rrethinave të këtij qyteti.

Sipas legjendave urbane, në rrugën Tiranë- Ndroq, nën një pemë të lartë, tek një rrap i moçëm, gjendet një varr i madh që populli e njeh me emrin: “Varri i ashikut“. Thuhet se në atë varr janë varrosur dy të dashurit e pandarë edhe në jetën tjetër, Bukuria dhe Faqebardhi.

Varri i pati rezistuar mjaft luftërave, madje edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, u restaurua nga ushtarët italianë, të cilët aty afër kishin ngritur një repart të vetin.
sipas popullit, kjo ngjarje ndodhi në një fshat afër Pezës, ku Faqebardhi ishte nga fshati Bozanxhije i Ndroqit.

Për këtë ngjarje ka shkruar në botimin e tij “Studime Shqiptare” edhe albanologu gjerman Johan Georg von Hahn në vitin 1850 – 1860 mbi udhëtimin e tij në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut.

Edhe historiani Kristo Frashëri e përmend këtë legjendë në botimet e tij mbi historikun e Tiranës. Legjenda e dy të rinjve të dashuruar shpjegohet me tragjedinë që ndodh ditën e dasmës së Bukuries.

Bukurien e detyruan prindërit të martohet me një djalë kundër dëshirës së saj por, ajo donte Faqebardhin. Faqebardhi punonte si ndihmës në punishten e babait të Bukuries dhe ky i fundit e pati kundërshtuar me forcë lidhjen e tyre.

Ditën e dasmës së Bukuries, i dashuri i saj, Faqebardhi u del përpara krushqve që po shoqëronin nusen te dhëndri dhe u thotë që të ndalen e ajo martesë të pengohej sa ishin në kohë, pasi do të rezultonte një lidhje e gabuar.

Krushqit nuk ia vënë veshin dhe vazhdojnë rrugën, atëherë Faqebardhi qëllon mbi nusen, të dashurën e tij, duke e vrarë. Më pas, shtrihet pranë saj dhe vret edhe veten. Që aty, shpjegojnë gojëdhënat, ata u varrosën në të njëjtin varr në rrugën Tiranë – Ndroq, i ashtuquajturi “Varri i ashikut”.

 

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).