Art & Kulturë

Historia e dashurisë së ndaluar midis Romeo e Zhuljetës së Bosnjes

Bosko Brkic, një djalosh 15 vjeçar serb dhe Admira Ismic, një vajzë 16 vjeçe myslimane, u takuan në një festë të Vitit të Ri në Sarajevë.

Ata qëndruan bashkë për nëntë vjet, derisa u vranë në maj të vitit 1993 në urën Vrabna, gjatë tentativës së tyre pa sukses për t’u larguar nga Sarajeva. Kjo urë është e njohur edhe si vendi ku u vranë në vitin 1993 dy studente Suada Dilibegovic dhe Olga Sucic, nga një snajper.

Kjo histori dashurie me një fund të trishtueshëm është e njohur për boshnjakët. Për nder të tyre është vendosur një pllakë përkujtimi në urën ku ata u vranë.

Në rrëfimet e saj pas vrasjes së të rinjve, nëna e Boskos tregon përgjigjen që Admira i kishte kthyer kur e kishte pyetur mbi rrezikshmërinë e lidhjes së tyre: “Nga i dashuri im vetëm plumbat mund të më ndajnë”. Midis këtij çifti të ri pati ndjenja të mëdha, shpresa për një jetë bashkë e momente gëzimi, të cilat u shuan me vrasjen e tyre tragjike.

“Vdekja e tyre është e pabesueshme, nuk e besoj as sot, të rinj të etur për jetë që u shuan nga vdekja, të gjitha planet e dëshirat u zhdukën me një të shtënë. Kjo është dëshmia se dashuria nuk mund të triumfojë, nuk mund të fitojë mbi njerëzit që nuk besojnë në të”-, kanë qenë fjalët e Zijos, babait të Admirës.

Ndërkohë, nëna e Boskos, Rada, nuk është kthyer më kurrë në qytetin e Sarajevës, pasi sipas saj është e pamundur të eci në të njëjtat rrugë ku ka shëtitur djali i saj.

E ndërkohë Tanja, shoqja e ngushtë e Admirës rrëfen personalitetin e vajzës, e cila spikaste nga të tjerat.

Ishim të ndryshme. Ajo interesohej në gjëra të cilat mua më dukeshin të çuditshme. Ka qenë një vajzë jo e zakonshme, ka ditur të rregullojë vetura të prishura dhe të voziste biçikletën. Ndërsa Bosko ishte ndryshe. Më i relaksuar, më i qetë. Ai kishte sharmin që nuk e sheh në shumë njerëz”-, tregon Tanja.

Fama e këtij çifti i ka kaluar kufijtë e Sarajevës, ku për ta është realizuar edhe një dokumentar në vitin 1994 me titullin “Romeo dhe Zhulieta në Sarajevë”.

Këtu mund të gjeni më shumë informacion mbi këtë histori tragjike dashurie.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).