Me rastin e 20 vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar kosovar Adem Jashari dhe Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është ndërtuar një mozaik me fytyrën e Jasharit, i përbërë nga 200 mijë gëzhoja fishekësh.
Zbulimi i këtij mozaiku do të bëhet ditën e sotme në rajonin e Prekazit në Kosovë, ku krijuesi i kësaj vepre arti është 27 vjeçari Besart Gashi, me origjinë nga fshati Nekovc i komunës së Drenasit në Kosovë.
Qëllimi i Gashit është që me këtë mozaik të thyejë rekordin Guinness, i cili ka përmasat 25 metra katrorë. Fillimisht, artisti në fjalë, ka bërë punime nga druri, më të cilat është i njohur deri tani, por vitin e kaluar ka ndërtuar një mozaik mjaft të veçantë, me materialin e rrallë, gëzhojat e plumbave.

Njësoj si punimet e tjera, mozaiku i tij përmban detaje kombëtare, ku zakonisht ka gdhendur e skalitur fytyrat e heronjve kosovarë, për ta vazhduar traditën e tij me figurën e Adem Jasharit, komandantit legjendar, të cilin vitin e kaluar e krijoi me anë të 5 mijë gëzhojave, për ta shumëfishuar sivjet me 200 mijë gëzhoja plumbash.