Monumentet e Kulturës po marrin gjithmonë e më shumë një vëmendje të madhe, duke u shndërruar kështu në një destinacion turistik dhe historik.
Specialistë të kësaj fushe janë dërguar në destinacione të ndryshme, me qëllim që t’i ofrojnë turistëve vendas e të huaj një panoramë sa më të plotë të këtyre aseteve me vlera të mëdha.
Njëra prej tyre është edhe Kalaja e Mavrovës, e cila në vitin 1963 ka marrë statusin e trashëgimisë kulturore dhe tashmë në të po zhvillohen punime mirëmbajtëse nga punonjësit e DRKK-së Vlorë.
Kalaja e Mavrovës ndodhet në qytezën antik të Olimpes, e cila ndodhet në afërsi të fshatit Mavrovë, rreth 40 km në lindje të qytetit të Vlorës. Ajo përfaqëson një nga qytetërimet më antike të zonës së luginës së lumit Shushicë, krahas Amantias, Çerjes, Hadërajt, që banoheshin në antikitet nga amantinët. Kalaja e Mavrovës ndodhet në Luginën e Shushicës dhe është ndërtuar në shekullin IV p.e.s.
E veçanta e kësaj kështjelle lidhet me faktin se muret janë punuar me blloqe gurësh gëlqerorë, pjesërisht të punuar me faqe trapezoidale dhe katërkëndëshe e të gufuara në pjesën e dukshme të tyre. Rreshtat në përgjithësi janë në linja të drejta, me ndonjë shkallëzim që u është imponuar ndërtuesve nga pjerrësia e madhe e terrenit.
Në krahun perëndimor të traktit izodomik, vihet re një rindërtim me gurë gëlqerorë relativisht të vegjël, të vendosur në lidhje të thatë. Ky mur, teknikisht i dobët për muret rrethuese, ka ngjashmëri me muret e përdorur për mbështetjen e çative në godinat e shekullit II para Krishtit. Sipërfaqja brenda mureve rrethuese të kalasë së Mavrovës arrin në rreth 15 ha.
Kalaja e Mavrovës është qendër e antikitetit dhe është një resurs real në funksion të turizmit kulturor.