Festivali i dancit modern ka nisur edicionin e 12 në Shqipëri. Festivali këtë vit sjell para publikut 10 krijime të inspiruara nga faktorët socialë politikë. Festivali u çel me premierën botërore të Angjelin Preljocajt dhe ky ka qenë një nga momentet kulminante të këtij edicioni, që këtë herë sjell në skena dhjetë shfaqje të dancit kontemporan. Drejtori i festivalit Gjergj Prevazi thotë se terrorizmi dhe ekstremizmi në botë është reflektuar në disa koreografi të kompanive europiane.
“Në mënyrë të patjetërsueshme dhe arti i përgjigjet në një mënyrë apo tjetër situatës në të cilën ndodhet Europa, si situata e terrorizmit, ekstremizmit, etj. Edhe tek ne padyshim, që këto tema reflektohen në programin e këtij viti, le ta quajmë estetike që ka të bëjë me formën e spektaklit, që ka të bëjë se si kompozohen spektaklet e dancit, etj. Kjo është e rëndësishme për ti ofruar publikut format, por dhe profesionistëve kërkimet më të reja të dancit bashkëkohor dhe kjo është shumë interesante për skenën shqiptare”, u shpreh koreografi Gjergj Prevazi për festivalin që ka nisur edicionin e 12. Me shfaqjet e tyre krijuesit e rinj shqiptarë në festival sjellin largimin e brezit të ri nga ky vend. Sipas Prevazit, festivali do të zhvillohet ndërmjet Tiranës, Durrësit dhe skenave të Prishtinës. “Festivali u hap me Preljocaj. Ka qenë në një bashkëpunim me Ambasadën Franceze.
Do të vijojmë në skena me shfaqje në Teatrin Eksperimental, në GKA, etj. Festivali u hap me premierën e Preljocajt dhe mbyllet me një shfaqje të një koreografi francez, që sjell një nga më të mirat e vitit të kaluar. Në festival ne i japim mundësi dhe përkrahim koreografët e rinj shqiptarë. Ne zhvillojmë dhe workshope në festival”, vijon drejtori Prevazi. Sipas tij një nga qëllimet kryesore të festivalit ka qenë dhe fakti që ta bëjë të njohur dancin kontemporan në vendin tonë. “Në 11 vjet ky festival nëse do të shikojmë rezultatin e tij do të gjejmë që ka pasur si qëllim themelor të bëjë të njohur dancin kontemporan në Shqipëri dhe ti tregojë audiencës shqiptare gjuhën e trupit duke komunikuar me gjuhën bashkëkohore të dancit. Ne ia kemi arritur qëllimit, sepse edhe institucionet shqiptare kanë reaguar duke ofruar pjesë të repertorit të tyre në shfaqjet e dancit kontemporan si në TOB”, shprehet koreografi.
Sonte në skenën e festivalit vjen shfaqja “Smokey, Hugs and Cappucino”, që do të shfaqet në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. “Për Shqipërinë është shumë e rëndësishme që ne të mbajmë gjallë kontaktet, jo thjesht dhe vetëm me emra të njohur të dancit bashkëkohor, por gjithashtu me kërkimet e reja në këtë fushë”, vijon koreografi Prevazi. Këtë vit festivali mbështet nga Ministria e Kulturës, Bashkia e Durrësit si dhe Ambasada Franceze dhe ajo Austriake.
Festivali do të mbyllet më datë 5 nëntor në skenën e teatrit të qytetit të Durrësit. “Albania Dance Meeting- Festival” Festivali Internacional i Dansit Kontemporan është një projekt unik në vendin tonë, pasi përfshin një fushë të rëndësishme të artit skenik, për të cilën nuk ka ende një veprimtari të ngjashme. Ai ka krijuar një traditë të përvitshme dhe në netët e tij synonte të bëhej arenë e shprehjes së aspiratave krijuese të artistëve nga vende të ndryshme. Festivali i Dancit, që ka nisur në vitin 2006, dhe deri tani në skenat e teatrit të Durrësit dhe Tiranës, apo dhe qyteteve të tjera të vendit, janë përballur artistikisht trupa dhe kompani të teatrit alternativ nga Kosova, Maqedonia, Suedia, SHBA, Franca, Holanda, Turqia, Italia, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Austria, etj.