Burime nga gjigandi social kanë bërë të ditur se janë pezulluar 70 llogari personale, 138 faqe dhe 65 llogari Instagrami që kontrolloheshin nga Agjencia e Kërkimit në Internet (IRA).
Këtë e ka bërë të ditur shefi i sigurimit të Facebook, Alex Stamos, i cili ka postuar edhe një foto si dëshmi ku tregohej lidhja e këtyre llogarive me Rusinë.
“IRA ka përdorur vazhdimisht llogaritë joautentike për të mashtruar dhe manipuluar njerëzit. Kjo është arsyeja pse ne po largojmë çdo llogari që gjejmë se është e lidhur me këtë organizatë”, është shprehur Stamos.

Sipas Stamos, gjetja dhe pezullimi i këtyre faqeve ishte një proçes i gjatë. Rreth 95% e tyre kishin përmbajtje specifike gjuhësore që u drejtoheshin folësve rusë dhe 1.08 milion përdorues ndoqën të paktën një nga faqet.
Ndërsa llogaritë e hapura në Instagram, numëronin gjithsej një shifër prej 493 mijë ndjekës dhe ishin shpenzuar rreth 167 mijë dollarë në reklama që nga fillimi i vitit 2015.
Facebook ka denoncuar vazhdimisht IRA-në për shkeljen e etikës së Facebook. Vitin e kaluar, u identifikuan rreth 3 mijë reklama përçarëse që synonin përdoruesit amerikanë gjatë zgjedhjeve.