Një çarje gjigande prej disa kilometrash është shfaqur para pak kohësh në jug-perëndim të Kenias në Afrikë, e cila ka filluar gradualisht që të zmadhohet më tej.
Ajo është shkaktare e rrëzimit të një pjesë të autostradës Nairobi-Narok, ku u shoqërua edhe me një aktivitet sizmik në këtë zonë.
Sipas shkencëtarëve, kontinenti afrikan mund të jetë duke u ndarë në dysh pas miliona vitesh. Ekspertja britanike Lucia Perez Diaz, ka shpjeguar në një intervistë për “The Conversation” se si mund të ndodhë diçka e tillë.
“Toka është një planet gjithnjë në ndryshim, ndonëse në disa aspekte ndryshimi mund të jetë thuajse i padallueshëm për ne. Pllakat tektonike janë shembulli më i mirë i kësaj. Ajo që po ndodh në Afrikë është thyerja e pllakave tektonike, një fenomen që krijon një çarje dhe kufinj të rinj të këtyre pllakave”, është shprehur Diaz.
Ajo ka vijuar duke shpjeguar se aktualisht, përgjatë pjesës lindore të luginës së shkëputur vijon të ketë aktivitet, i cili pas disa miliona vitesh, do të jetë shkaktar i ndarjes më dysh të këtij kontinenti.
Ekspertë të ndryshëm ndodhen në vendngjarje, ku presin të kuptojnë më shumë mbi fazat e këtij fenomeni dhe ndodhive natyrore që mund të pasojnë. Sipas parashikimeve të deritanishme, rajoni i Afar mund të thyhet plotësisht si pasojë e mbushjes së saj me gurë vullkanikë dhe hollimit të litosferës.
Kjo do të bëjë që në një periudhë afatgjatë, deti të mbulojë të gjithë çarjen e tokës. Uji që do të mbulojë zonën dhe për pasojë kontinentin Afrikan, do të bëhet edhe më i vogël, duke krijuar kështu në Oqeanin Indian një ishull të madh, me pjesë nga Etiopia e Somalia.