Art & Kulturë

Ekspozita “Një jetë me grafikën” sjell homazh veprën e artistit Pandi Mele

Në galerinë e artit FAB që prej 1 shkurtit, është hapur ekspozita me veprat e artistit të njohur Pandi Mele, e titulluar “Një jetë me grafikën”.

Kjo ekspozitë sjell veprat e një prej përfaqësuesëve më të rëndësishëm të grafikës shqiptare, Pandi Mele, që është kuruar nga Ardian Isufi dhe Petraq Papa. Punimet që janë ekspozuar datojnë që prej vitin 1959.

Ekspozita sipas kuratorit Petraq Papa, vjen dhe si një homazh për veprën e artistit të njohur shqiptar, që u nda nga jeta në dhjetorin e vitit 2015.

“Unë jam një nga studentët e tij dhe kjo është një ekspozitë retrospektivë me punime të tij.  Pas ndarjes nga jeta të Pandi Meles ne menduam që të hapnim një ekspozitë retrospektivë me punimet e tij. Ka punime që përfshijnë që nga periudha kur ai ka qenë në Ish Bashkimin Sovjetik me studime në vitet 1958 – 1959 për të vijuar deri në ditët e vitit 2014”, pohon kuratori Petraq Papa.

Punimet në ekspozitën “Një jetë me grafikë” përfshijnë vizatime, skica, bocete, etj, dhe janë që të gjitha pothuajse të paprezantuara më parë për publikun. Kuratorët e kanë kuruar në tre plane ekspozitën “Një jetë me grafikën”, plani historik, estetik, si dhe didaktik.

Gjithashtu, për herë të parë janë ekspozuar punimet nudo të artistit, të cilat nuk diheshin as nga familjarët. Këto punime i përkasin kohës kur artisti ka qenë me studime në Ish- Bashkimin Sovjetik dhe janë nxjerrë nga koleksioni i vjetër i tij.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 shkurt, në oraret 19:00-21:00.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).