Art & Kulturë

Eda Zari sjellë për herë të dytë në Himarë Festivalin ‘Jazz and Wine’

Kjo fundjavë do të jetë një fundjavë kushtuar e gjitha Jazzit dhe Verës në Porto Palermo në Himarë.

Në mbrëmjen e 7 Korrikut hap dyert edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar i Jazz-it dhe Verës. Në skenën me qiell të hapur plot pluhur yjesh në Porto Palermo, do të rrugëtojnë artistë të skenës së Jazz-it Internacional.

Një nismë e artistes së Jazzit Eda Zari, ky festival qëmton Shqipërinë e bukur që ta zbulojmë përmes muzikës.

Eda Zari shprehet kështu: “Festivali do të ftojë në skenën e tij, artistë shqiptarë nga diaspora dhe trojet e Shqipërisë si dhe nga vendet e tjera të Ballkanit, si Maqedonia, Kroacia, apo nga Zelanda e Re, Bregu i Fildishtë, Kuba, Kolumbia, Gjermania, Holanda, Turqia, etj., duke e kthyer gjirin e Panormos (emri i lashtë për Porto Palermon, që do të thotë “vend i mbrojtur”) në një port komunikimi përmes muzikës”, shprehet Zari njëherësh drejtoreshë e këtij festivali.

Emra që zbresin nga skenat ndërkombëtare, e tillë është artistja nga Havana de Cuba, Maryali Pacheco, pianistja dhe kompozitorja e cila bashkëpunon me Richard Bona, Omar Sosa dhe perkusionistin e Stingut Rhani Krija.

Gjithashtu mbi madhështinë e detit Jon do të ngjiten artistët e skenës së Jazz-it shqiptar, si pianisti maestro Gent Rushi, Ermal Rodi, saksofonisti i mirënjohur, Enver Muhamedi, kontrabasisti kosovar i suksesshëm në skenat ndërkombëtare të Jazzit. Ndërsa muzika duhet të shijohet nga shpirtrat, vera do te jetë shoqëruesja besnike e dy netëve të Festivalit ku do të prezantohen verërat më përfaqësuese që vijnë nga Maqedonia, Kosova, Greqia, Gjermania, Franca dhe Italia, shoqëruar me traditën e pasur të kulinarisë.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).