“Imagination is more important than knowledge”
– Albert Einstein
Nga Dr. Fleura Shkëmbi, Psikologe klinike dhe Hipnoterapiste/Një tjetër metodë e mirë për të shmangur stresin e këtyre ditëve që të githë ne ndodhemi në karantinë për shkak të Covid-19, është vizualizimi.
Kjo metodë ka të bëjë me vizualizimin e një skene ose të një situate. Ka të paktën dy mënyra për të arritur te vizualizimi.
1. Në shtëpi gjatë momenteve të qeta imagjino një situatë stresuese dhe përfytyro veten duke vepruar në mënyrë të qetë dhe racionale.
Gjej një moment për t’u përqëndruar në një situatë relaksuese si psh. një pasdite në një plazh të qetë apo një banjë me qirinj të ndezur. Përfytyroje në detaje këtë skenë dhe kështu ti mund të dalësh nga situata që është duke ndodhur dhe të ulësh nivelin e ankthit.
2. Krijimin e një përfytyrimi mendor të një vendi që është relaksues për ty. Ky mund të jetë një vend që të sjell nëpër mend relaks apo ndjenja të këndshme.
Pasi ke imagjinuar skenën, duhet të shpenzosh të paktën dhjetë minuta duke u përpjekur ta bësh sa më reale të mundshme, pra ta vizualizosh me plot kuptimin e fjalës.
Zbulo ndiesitë e tua, duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve:
• Çfarë shikon?
• Çfarë arome ka?
• Dëgjon ndonjë gjë?
• Çfarë ndjen?
• Çfarë mund të shijosh?
Pastaj ngadalë rikthehu në botën reale përreth teje. Duhet patur parasysh se vizualizimi perfekt do pak praktikë.
Muzikantët profesionist apo atletët e lojrave Olimpike praktikojnë një formë tjetër vizualizimi: krijimi në mendje i asaj qe do të ndodhë.
Në vend që të vizualizosh një skenë relaksuese, mendërisht kalo situatën që të shkakton stres. Imagjino veten duke përfunduar me sukses një detyrë të caktuar që të shqetëson. Vizualizo veten duke u ndjerë i/e qetë dhe në kontroll. Ky lloj përfytyrimi mendor mund të të ndihmojë t’i arrish këto ndjenja edhe kur të ndodhesh në situatën reale.
Teknika e vizualizimit.
• Ulu ose shtrihu në një vend të rehatshëm.
• Relaksohu.
• Fillo të imagjinosh një skenë, objekt, vend që të kënaq. Imagjino çdo moment të skenës.
1. Nese do imagjinosh një ujvarë në mal, përfytyro se si duket: rjedhja e ujit, pikat e ujit që shkëputen, masa dhe trashësia e pemëve përreth saj, qielli sipër, dielli që rezaton përmes degëve..
2. Pastaj imagjino se çfarë arome ndien në këtë vend – lagështirë, myshqe, aroma e pishave…
3. Më pas dëgjo tingujt që mund të ketë nëse je atje: uji që bie mbi shkëmbinj, heshtja që prishet nga era dhe përsëri qetësi apo zogjtë që këndojnë…
4. Si ndihet toka nën këmbët e tua? Është me gurë dhe e ashpër apo e lëmuar dhe e butë nga halat e pishave ose myshku?
5. Imagjino të këpusësh pak bar ose të pish pak ujë të ftohtë nga ujëvara? Çfarë shije ka?
• Ndërsa përfshihesh më shumë në vizualizim, trupi do të relaksohet më shumë dhe ti do të jesh në gjendje t’i lejosh problemet apo shqetësimet që kishe më parë, të largohen. Për ta inkurajuar këtë relaksim që të ndodhë ti mund të theksosh imagjinatën me formulime positive si psh: “Po e lë tensionin të largohet”, ose “unë ndihem i/e qetë dhe i/e relaksuar”.
Vendi yt i preferuar i relaksimit
Në fillim shtrihu, rehatohu dhe mbylli sytë. Merr të paktën rreth tre frrymëmarje të thella, të ngadalta për të relaksuar dhe qetësuar veten.
Tani imagjinoje veten në një vend special, të qetë.
Krijo një vend të bukur dhe qetësues.
Imagjino veten të shtrirë në diell në një një plazh të bukur.
• Mund ta ndiesh rërën?
• Sa e ngrohtë është rëra?
• A ka lule afër teje?
• Në qofë se po ku ndodhen dhe çfarë lloj janë?
• Çfarë arome kanë?
• Mund ta dëgjosh detin?
• Mund ta ndiesh aromën e detit
• Cili sezon është?
• Cila periudhë e ditës është?
• A ka ndonjë fllad/puhi të lehtë?
• Në qoftë se po, sa i fortë?
• A ka ndonjë aromë tjetër?
• Sa e fortë është është toka?
• Çfarë prek trupin tënd?
• A ka ndonjë tingull tjetër – zogj? Nëse po cilët?
Krijoni skenën tuaj në mendje me detaje me të gjithë sensacionet – pamjen, dëgjimin, nuhatjen, shijen dhe prekjen.
Tani thjesht relaksohu dhe ndjej sikur je aty. Mos u përpiq ta imagjinosh përsëri, thjesht ndjej dhe përjeto atë vend të veçantë. Çfado të jetë aty, është jeta jote në atë moment.