Botim i ri/ Gaqo Bushaka – Maçoku i tetos

Gaqo Bushaka, shkrimtari aq i dashur për të mitur e të rritur, vjen me përmbledhjen e re me përralla “Maçoku i tetos”.
Tetoja dhe maçoku i saj çamarrok, papagalli llafazan, laraska, kanarina, ketri e plot e plot personazhe zbavitëse që fëmijët i duan aq shumë. Përrallat shoqërohen me vjersha të rimuara bukur, që vogëlushët pa dyshim do të dëfrehen duke ia rrëfyer njëri-tjetrit.

“Tetoja e gjeti atë maçok kur shiu binte buuu dhe era frynte vuuu. Duke u përpjekur për ta marrë në duar, iu prish edhe ombrella që e ruante nga koha e nusërisë, e huheee… Si ombrella, edhe tetoja! “Në djall ombrella, maçokun nuk e lë!”, u gërrmërr tetoja. E mori maçokun e mardhur në shtëpinë e saj, në Rrugën e Kavajës, numër aq e kaq, Tiranë. Nëse doni, me të pyetur edhe mund ta gjeni. Aty maçoku e mori veten, piu qumësht dhe nisi të luajë me një kuvaristër të kuqe për qëndisje. Atë të diel mbrëma, maçokun e zuri gjumi në pëqi të tetos me “T” të madhe, që i këndonte:
Erë e vjeshtës gjethet ngre,
në pëqi maçoku fle.
Vetëtin e bie shi,
fli maçok i tetos, fli!
Kënga vuri në gjumë edhe papagallin simpatik në një goxha kafaz aty pranë dritares me grila gri.”

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).