“Balkan Contemporary Music Festival” nis edicionin e dytë më 30 tetor. Festivali, i organizuar nga Shoqata e Kompozitorëve Shqiptarë (A.C.A), synon nxitjen e bashkëpunimit nëpërmjet njohjes mes muzikantëve në rajonin e Ballkanit dhe mbështetjen, të një tregu të qëndrueshëm të zhvillimit të muzikës bashkëkohore në rajon.
Muzika sllovene do të përfaqësohet në koncertin e parë të këtij festivali, ditën e martë datë 30 Tetor në sallën e madhe të Universitetit të Arteve, nga Matej Grahe (flaut) dhe Luca Ferrini (piano), të cilët do të interpretojnë vepra nga kompozitorët sllovenë dhe dy autorë shqiptarë. Këngëtari Ismet Vejseli dhe pianistja Dunja Ivanova do të përfaqësojnë Maqedoninë në koncertin e datës 8 nëntor, ndërkohë që ndryshe nga edicioni i parë, këtë vit është marrë në konsideratë dhe një koncert me artistë të ftuar nga Italia. Do të jetë një trio fizarmonikash me Francesco Coluccia, Michele Bianco dhe Giovanni Fanizza, të cilët do të interpretojnë në qytetin e Vlorës një repertor të zgjedhur me vepra nga kompozitorë të rëndësishëm të repertorit të fizarmonikës. Krijimtaria muzikore shqiptarë në këtë festival do të materializohet në dy koncerte, njëri prej të cilëve do ti dedikohet tërësisht kompozitorëve të rinj shqiptarë, ndërkohë që tjetri do të përmbajë krijimtarinë muzikore të kompozitorit Thoma Gaqi.