Opera ‘Anne & Zef’ është një produksion i Opera Spanga-s të Holandës.
Në këtë shfaqje operistike, personazhi i parë është Anne Frank, e cila vdiq në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen, ndërsa personazhi i dytë është Zefi, një djalë shqiptar i ditëve tona, që është viktimë e një hakmarrjeje. Ata takohen me njëri-tjetrin në parajsë, ku zbulojnë se kanë shumë gjëra të përbashkëta me njëri-tjetrin, pavarësisht dallimeve kulturore. Anne është shkrimtare, Zefit i pëlqen të jetë aktor dhe të dy kanë probleme me prindërit e tyre. Ata i tregojnë njëri- tjetrit për jetën e tyre, gjë që i afron gjithnjë edhe më shumë.

Kjo është, me pak fjalë, historia e operës mbresëlënëse për të rinj “Anne & Zef”. Pjesa e Annës luhet nga sopranoja shqiptare Anjeza Marku, ndërsa baritoni Patrik Vjollca do të jetë në rolin e Zefit. Muzika do të luhet nga orkestra e përbërë nga muzikantë shqiptarë nën drejtimin e Huba Hölloköi-t.

Anjeza Marku
Infokult.al zhvilloi një intervistë me Anën (Anjezën) e cila na rrëfeu më shumë për shfaqjen dhe mesazhin e fortë të saj: “Lirinë”.
Çfarë kanë të përbashkët karakteri i Anna Frank dhe i Anjezës?
– Mendoj që karakteri im dhe i Anne Frank kanë të përbashkët, dëshirat për një botë. Dhe besimin tek e mira e njerëzimit!
Çfarë zbulon Ana nga parajsa, gjë që nuk e zbuloi në ditarin e saj të famshëm?
-Zbulon si është të jesh e lire, pas gjithë vuajtjeve të paimagjinueshme në ditët e sotme,sepse nuk pati kurrë mundesi të përjetonte një ndjenjë të tillë, pasi vazhdoi Lufta e Dytë Botërore!

Si është zhvilluar më tej personazhi i Anës?
-Anna ka vazhduar të jetë po e njëjta edhe pse shume vite në parajsë, ajo akoma i ka plage vuajtjet e saj, dhe privimet qe i bënë gjithashtu familjes dhe shumë hebrenjve të tjerë.
Aushviçi është një ngjarje e së kaluarës, kurse Kanuni ende ka fuqi. Cilat janë mesazhet që përcjell kjo vepër sot?
-Kjo vepër është me subjekt të fuqishem, në parimin e sensibilizimit. Për pjesën e Aushviçit plagë e cila e lejoi vetë njerëzimi që të hapej, ndërsa Kanuni që mbahet akoma gjallë nga njerëzit të cilët e kanë në përdorim. Kjo vepër sjell mesazhin që duhet të ndaloje njerëzimi vrasjen e njeri-tjetrit dhe për me tepër të lejojnë të rinjtë të jenë të lirë.
Historinë e Anës e njohim të gjithë. Po personazhi i Zefit mbi ç’baza është krijuar?
-Zefi është një djalë 15 vjeçar i cili vritet për shkak të Kanunit nga shoku i tij i ngushtë, ai ka qenë një djalë i cili jetonte në veri të Shqipërisë aty ku kanuni është përdorur dhe dëshira e tij ka qenë që të jetë aktor. Ëndërr e cila mbeti në sirtar, dhe sot vihet në jetë nga opera ‘Anne & Zef’.
Pse duhet të vijnë për ta parë këtë shfaqje?
Mendoj që ka një mesazh shume të fuqishëm jo vetem për të shkuarën ku ndodhi asgjësimi i shumë hebrenjve, por të jemi në dijeni për vuajtjet e shume njerëzve, për më teper të të rinjve të cilëve iu privua e drejta për të jetuar, për të qenë njeri i lirë.
Gjithashtu një fenomet që po ndodh dhe sot është gjakmarrja dhe në këtë Opera tregohet se si ka qenë jeta e një djali i cili u vra nga ky fenomen. I cili nuk jetoi asnjë nga dhuratat që të jep jeta, e ajo me e rëndësishmja nuk pati mundësi të ishte i lire!