Nëse e keni harruar historinë e Ana Kareninës, tashmë do të keni rastin ta rikujtoni atë në kinemanë ‘Millennium’, por këtë herë në një këndvështrim tjetër, në një produksion nga origjina e vetë personazhit. Historia tragjike e dashurisë këtë herë treguar prej kujtimeve të Vronskit do të fillojë të shfaqet prej datës 12 tetor në ekranin e madh të Kinema Millennium.
“Anna Karenina: Vronsky’s Story” është një produksion rus i drejtuar nga regjisori i njohur Karen Shakhnazarov. Drama është një përshtatje e lirë e romanit të Leon Tolstoit që sjell jetën e Ana Kareninës këtë herë të kombinuar me rrëfimin publicistik “During the Japanese War” dhe “Stories about the Japanese War,” shkruar nga Vikenty Veresaev.
Në rolet kryesore interpretojnë: Elizaveta Boyarskaya si Anna Karenina, Maksim Matveyev si Vronsky dhe Kirill Grebenshchikov si Sergey Karenin. Filmi që ka filluar të shfaqet në Rusi në muajin qershor të këtij viti mendohet se do të jetë edhe përfaqësuesi i kinemasë ruse për në garën e Oskarit 2018.