Art & Kulturë

Akademia e Arteve do restaurohet

Ndërtesa e Korpusit kryesor të Universitetit të Arteve do t’i nënshtrohet së shpejti rikonstruksionit. Universiteti i Arteve ka hapur të mërkurën procedurat e tenderimit për restaurimin e korpusit kryesor të Akademisë.

Nga detajet e investimit, grafiku i punimeve do të shtrihet në disa drejtime: kryesisht në furnizimin me ujë dhe me energji elektrike për të gjithë ndërtesën.

Po ashtu, do të kryhet lyerja e dritareve si dhe e dyerve të reja dhe atyre ekzistuese, të brendshme dhe të jashtme. Ndërkohë, punimet do të përfshijnë gjithashtu edhe hidroizolimin e të gjithë sipërfaqes së tarracës.

Fondi limit i akorduar për këtë investim kap vlerën e 147.6 milionë lekëve, ndërsa kohëzgjatja e kontratës parashikon një periudhë kohore 300 ditë kalendarike që nga nënshkrimi i saj.

Kjo ndërtesë është ndërtuar në vitin 1942, por një pjesë e punimeve nuk u përfunduan sipas idesë fillestare të autorit, Gerardio Bossio.

Në këtë godinë, janë përqendruar zyrat e Rektoratit të Akademisë së Arteve, zyrat e fakultetit të Muzikës dhe rreth 65% e ambienteve shërbejnë për klasa te Fakultetit të Muzikës.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).