Erion Kame është regjisori i filmit “Një jetë me ty”, i cili pritet të xhirohet në muajin mars dhe në tetor do të jepet premiera e tij.
Ky film do të tregojë atraksionet turistike të vendit tonë, që sipas regjisorit, do të tregohet histori për njerëz “të bukur” me problematika si të gjithë qytetarët e botës. Sipas tij, dëshira për të folur me gjuhën e filmit është një dëshirë që të gjithë e kemi thellë-thellë brenda vetes.
Filmi “Një jetë me ty” ngre një pyetje shumë të thjeshtë: “Çfarë është martesa?”
“Është odiseja 10 vjeçare e një çifti të martuar. Pra, që nga njohja e deri pas dhjetë vitesh më vonë. E veçanta është se e njëjta histori rrëfehet nga të dy bashkëshortët. Këndvështrimet e tyre janë krejtësisht të ndryshme. Po ashtu edhe qëndrimet. Në një moment të caktuar të filmit, marrëdhënia tyre rrezikohet seriozisht nga hyrja në jetën e tyre e një vajze e cila punon me burrin”, është shprehur Kame.
Të dy personazhet e duan shumë njëri-tjetrin dhe kjo ka shumë rëndësi në një marrëdhënie bashkëshortore. Por a është e mjaftueshme? A i përgjigjemi dot pyetjes: “Çfarë është martesa?”
Në rolin e bashkëshortit në film do të jetë aktori Dritan Arbana, i cili për publikun shqiptar njihet me projektin shqiptaro-australian “Bloodlands”, si producent dhe aktor. Në rolin e gruas do të jetë aktorja e teatrit dhe ekranit, Olta Gixhari.
“Ne kemi filluar provat me Tanin dhe Oltën dhe mendoj se çdo gjë ka shkuar shumë mirë. Presim në fundjavë edhe vajzën që do t’i bashkëngjitet projektit tonë. Pjesa tjetër e aktorëve do të jenë emra shumë të njohur për publikun, por do të preferoja që ky i fundit të vinte vetë në kinema për t’i parë”, u shpreh ai në një intervistë për KultPlus, duke vlerësuar lartë aktorët të cilët janë pjesë e ekipit të filmit.
Edhe pse buxheti i këtij filmi është shumë i kufizuar, ekipi i filmit po bën të gjitha përpjekjet që vendndodhjet të gjenden midis miqve e të afërmëve. Deri në këtë moment atyre u janë gjendur shumë të tillë.
“Sigurisht që vendi kryesor i xhirimeve është një shtëpi. Kjo shtëpi është vënë në dispozicion nga Dritan Arbana që ka lënë banesën e tij për të zhvilluar xhirimet. Kjo është një sakrificë e jashtëzakonshme nga ana e tij, pasi vendet e xhirimit mund të krahasohen me një fushëbetejë. Por sakrifica të tilla bëjnë njerëz të cilët ia dinë vlerën artit dhe konkretisht filmit. Shtëpia e Tanit nuk është zgjedhur vetëm se s’kishim alternativë tjetër, por në radhë të parë është një shtëpi e ngrohtë, dinjitoze dhe përfaqësuese për çiftin e filmit”, u shpreh regjisori Kame, i cili kohë më parë pati dhënë komedinë më të njëjtin titull në Teatrin Kombëtar.
Komedia “Një Jetë Me Ty” ka qenë një projekt i Teatrit “A. Moisiu” të Durrësit me Ministrinë e Kulturës. Premiera është dhënë në 9 maj 2016 në Teatrin Kombëtar, kurse ka vazhduar deri në dhjetor 2017 në Korçë. Komedia ka pasur rreth 30 repriza.