SHFAQJE TEATRORE BËJE OSE VDIS
Përshkrimi
SHFAQJE TEATRORE
BËJE OSE VDIS
Prodhuar nga Teatri “Hadi Shehu” Gjakovë
17 & 18 maj @ 20:00 | BURGU I IDEALIT
Nga: Jeton Neziraj // Regjia: Blerta Neziraj // Aktorë: Jahja Shehu, Ernest Malazogu, Albulena Kryeziu Bokshi, Edi Kastrati, Altina Kusari, Armend Smajli // Koreograf: Gjergj Prevazi // Kompozitor: Trimor Dhomi // Skenografë: Petrit Bakalli & Alice Vanini // Kostumografe: Iliriana Loxha Basha
“Bëje ose vdis” është një shfaqje-homazh për politikanin, intelektualin dhe profesorin e njohur shqiptar Ukshin Hoti, ish i burgosur politik në burgjet jugosllave e serbe. Ai ishte burgosur disa herë, për herë të parë në vitin 1981 e së fundmi në vitin 1994. Zyrtarisht ngelet njëri prej mbi 1,500 të zhdukurve nga lufta e vitit 1998-1999 në Kosovë, trupat e të cilëve akoma nuk janë gjetur. Megjithatë, indikacionet çojnë te faktet që autoritet serbe të burgut të Dubravës, ku Ukshin Hoti ka qenë i burgosur bashkë me qindra të burgosur të tjerë shqiptarë, e kanë liruar në maj të vitit 1999, e pastaj e kanë pushkatuar jo shumë larg dyerve të burgut.
Ukshin Hoti sot është kthyer në një simbol që sublimon fatin tragjik të atyre dhjetra mijëra të burgosurve politikë shqiptarë, të vrarë e të torturuar burgjeve jugosllave e serbe. Por ai është poashtu edhe emblemë që përfaqëson përpjekjen, përkushtimin, sakrificën e angazhimin politik për liri, barazi e dinjitet të popullit shqiptar, të atyre dhjetra e mijëra grave e burrave aktivistë të ilegales shqiptare në Kosovë. Rezistenca, qëndresa dhe çmimi i lartë që ky brez idealistësh kanë paguar në burgje, me krejt dritë-hijet, është themeli mbi të cilin ngritet Republika e Kosovës, por është edhe frymëzim për brezat që tani po rriten pa frikën se dikush mund t’i burgosë vetëm pse janë shqiptar.
*Hyrja është falas, mirëpo numri i ulëseve është i kufizuar. Për të rezervuar ulësen tuaj, shkruani në: [email protected]
Kalendar eventesh
E shtunë, 17 Maj, 2025 - E diel, 18 Maj, 2025