Filmi dokumentar “Vala e re” nga Elton Baxhaku te “Shtëpia e Antropologjisë” Tiranë
Përshkrimi
Në kuadër të ciklit të takimeve “Me tu dashtë me ik” do të shfaqet filmi dokumentar “Vala e re”, me regjizor Elton Baxhaku. Shfaqjen e filmit e pason vijimi i diskutimit rreth pyetjeve dhe dilemave që ngrihen përgjatë dokumentarit.
Dokumentari “Vala e Re” eksploron në thellësi një kthesë vendimtare në peisazhin e emigracionit shqiptar, duke synuar të zbulojë motivet e largimit në rritje të popullatës. Nga aspiratat ekonomike në përpjekjen për një ‘jetë më të mirë’, ky dokumentar shqyrton shkaqet e shumëfishta që po shtyjnë shqiptarët sot drejt emigracionit.
Dokumentari “Vala e Re” përmes një qasje intime dhe të drejtpërdrejtë formohet nga zërat e shqiptarëve të zakonshëm – nga punëtorët dhe studentët, mjekët dhe mësuesit – të cilët ndajnë me ne motivet e tyre për të emigruar. Këto rrëfime të sinqerta na ofrojnë një tablo të pasur të faktorëve të ndryshëm që motivojnë valën e fundit të emigrimit.
Dokumentari hedh dritë mbi perspektivat e ndryshme të atyre që largohen nga vendi, në rrugë të ligjshme ose të paligjshme. Shpalos përpjekjet e shumta të individëve që kërkojnë një jetë më të mirë, ata që dëshirojnë të krijojnë kushte optimale për familjet e tyre, dhe të atyre që, pavarësisht dëshirave, ndihen të detyruar të kërkojnë strehim përtej kufijve të Shqipërisë.
“Vala e Re” depërton përtej sipërfaqes, pasiqë ofron një eksplorim të historive njerëzore që fshihen pas statistikave. Duke deshifruar shtresëzimet e emigracionit, synon të shpalos më thellë sfidat me të cilat përballen shqiptarët, kompleksitetin e vendimeve të tyre, dhe dashurinë që vazhdon për vendin, pavarësisht nevojës për të kërkuar një të ardhme më të mirë përtej kufijve.
“Dokumentari është një prodhim i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Shqipëri në bashkëpunim me Barraka Productions dhe Regjizorin Elton Baxhaku.
🗓️ 3 tetor
🕐 18:00
📍 Rruga Naim Frashëri, Tiranë
Kalendar eventesh
E enjte, 3 Tetor, 2024