Nën regjinë e Carlo Sciaccaluga, vepra e njohur e shkrimtarit Uilliam Shekspir, “Shumë zhurmë për asgjë”, do të ngjitet në skenën e sallës Moliere të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” më 31 mars dhe 1 prill.
Kjo vepër ka në thelb të saj përballjen midis dy gjinive, duke i vendosur secilin prej tyre në përjetimin e botës së gjinisë së kundërt. Bota mashkullore depërton dhunshëm në atë femërore: Konfliktet dhe dashuritë do të jenë të pashmangshme.
Subjekti vendoset mbi rikthimin nga lufta si fitimtarë të ushtarëve fisnikë të Don Pjetrit të Aragonës, të cilët mbërrijnë plot zhurmë në shtëpinë e Leonatit, guvernatorit të Mesinës.
Bota e meshkujve portretizohet nëpërmjet virtyteve të tyre dominuese, siç janë: nderi, vlerat, vëllazëria mes ushtarësh dhe një vetndërgjegjësim paksa i sëmurë.
Ndërkohë, nga ana tjetër kemi botën e “dobët” të femrave, të cilat paraqiten si viktimë e bastisjes mashkullore: Kjo portretizohet me rastin e Heros, vajzës së Leonatit, e cila akuzohet padrejtësisht për tradhti bashkëshortore. Një akuzë e padrejtë, që vjen ironikisht e lidhur me kushurirën e saj Beatricia, e cila përfaqëson figurën e femrës që përdor mjeshtërisht fjalët dhe intelektin për të krasitur armët mashkullore.
Në këtë komedi, shpaloset një temë e përjetshme: Mashkulli ka nevojë për femrën dhe e anasjellta. Shakespeare nxjerr prej kësaj vepre një ide finale, që shpaloset me fjalët: “Triumfi i qenies njerëzore arrihet kur i besojmë inteligjencës, fantazisë dhe lirisë së mendimit praktik. Ngurtësia është vdekje, dakortësia me vetveten përtej limiteve është shpesh edhe shenjë idiotësie”.
“Shumë zhurmë për asgjë” do të shfaqet të shtunën dhe të dielën tjetër, ora 20:00, ndaj mos e humbisni këtë shfaqje të mrekullueshme që përmban talentin e një prej shkrimtarëve më të mirë të gjithë shekujve!