Art & Kulturë

“Nga Kjo Botë Në Tjetrën” i autorit John Bunyan në Klubin e Librit

Libri i radhës që do të diskutohet në Klubin e Librit Tiranë është “UDHËTARI – Nga Kjo Botë Në Tjetrën” i autorit John Bunyan. Diskutimi do të jetë të martën, me datë 30 korrik 2019, te Qendra Stefan në Tiranë. Më poshtë keni edhe një artikul të shkurtër Ledio Hala i cili ka qenë pjesë e ekipit të punës që kthyen librin në fjalë në shqipen e sotme.

The Pilgrim’s Progress: modeli i teologjisë si letërsi dhe vlerat letrare

Në trajtesat e ndryshme që janë bërë mbi lidhjen e letërsisë me fushat e tjera interdisiplinare, jo pak vëmendje ka tërhequr e ashtuquajtura “teologjia si letërsi” (theology as literature). Ka të bëjë pikërisht me faktin që letërsia vendoset në shërbim të teologjisë, për të ndërtuar një rrëfim në dukje subjektiv, por që në të vërtetë mbart një shumëkuptueshmëri të thellë teologjike. Ndërthurja e këtyre disiplinave me njëra-tjetrën ka prodhuar kryevepra të letërsisë botërore. Një nga këto kryevepra, e cila ka qëndruar e vazhdon të qëndrojë me kalimin e kohës, është edhe “The Pilgrim’s Progress” e shkruar nga John Bunyan, i cili do të njihet ndryshe edhe si man of one book (njeriu i një libri) për shkak të lidhjes së tij të veçantë me Biblën. Sigurisht që nuk do të ekzistojnë në Shqipëri studime e kritika të mirëfillta për këtë vepër, për sa kohë që kopjet e përkthimit të saj në gjuhën shqipe nga Gjergj Qiriazi, nuk e panë dritën e botimit shumë gjatë, sepse sistemi enverist ndaloi me çdo kusht gjithçka që mund të cenonte ideologjinë e tij.
Në ditët e sotme, ku studimet letrare në Shqipëri janë zhvilluar dhe bazohen mbi pranimin dhe zbatimin e parimeve dhe metodave të ndryshme shkencore, mendojmë se ka lindur nevoja që të hidhen sytë drejt së shkuarës, tek ato vepra të cilat janë përkthyer sa me dëshirë e pasion, aq edhe me botëkuptim të gjerë dhe formim intelektual. Mjafton të hulumtojmë në faqen online të “Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave”, dhe në katalogët e saj elektronikë do të shikojmë shumë vepra letrare shqipe dhe të përkthyera në shqip (sigurisht para vitit 1944) të cilat janë të mbushura me motive biblike, dhe ende nuk e kanë parë dritën e botimit. Sa më shumë që kërkojmë në të shkuarën aq më shumë kuptojmë që Bibla ka qenë pjesë e pandashme e krijimtarisë dhe kulturës tonë si komb, e këtë e kemi pranuar dhe kemi filluar të punojmë për të nxjerrë në dritë rëndësinë që ka pasur Shkrimi i Shenjtë në jetën letrare të kombit shqiptar.
Për këto arsye mendojmë se është e nevojshme që të shpalosim një panoramë të veprës letrare “Udhëtari”, e cila do të konsistojë në vlerat letrare që mbart vepra dhe se si ndërthurja e letërsisë me teologjinë ka prodhuar një rrëfim unikal të letërsisë botërore, i cili padyshim duhet të lexohet nga studiuesit e studentët e letërsisë, por edhe më gjerë.
Në letërsinë angleze, por edhe në letërsitë e tjera europiane “The Pilgrim’s Progress” do të jetë një vepër shumë e studiuar si nga ana letrare, ashtu edhe nga ana teologjike. Ajo do të jetë e përfshirë në botime të rëndësishme shkencore si “The Oxford Handbook of English Literature and Theology”, në studime të veçanta për krijimtarinë e John Bunyanit, si dhe në plot artikuj të botuar në revista letrare e teologjike me famë ndërkombëtare.
Vepra ndërton udhëtimin e shtegtarit nga Qyteti i Humbjes deri në Qytetin e Qiellit, nga vdekja në jetë, nga shkatërrimi në shpëtim. Në hyrje të rrëfimit do të kemi një njeri i cili po udhëtonte në shkretëtirën e kësaj bote. Sipas Biblës bota në të cilën ne jetojmë është e përkohshme, nuk i jep njeriut ndjesinë e lavdisë së përjetësisë. Ky është një nga themelet kryesore biblike për të kuptuar që Zoti ofron përjetësinë, pra atë që në botë nuk mund të gjendet. Për këtë arsye jeta është e shkretë, dhe njeriu udhëton në shkretëtirën e kësaj jete. Për më tepër shkretëtira është vendi ku Gjon Pagëzori kreu shërbesën e tij ndaj Zotit (Mateu 3:1–3), e narratori vendos gjithashtu që ta fillojë historinë e tij në shkretëtirë. Më pas ai futet në një shpellë dhe fle gjumë. Gjumi në këtë rast, është mënyra e duhur për të harruar shkretëtirën e jetës dhe për t’u kredhur në një botë tjetër, atë të ëndrrës. Në këtë pikë fillon alegoria biblike ku çdo gjë që narratori do të shikojë në ëndërr do të jetë një metaforë e fuqishme për të shpalosur një realitet ekzistues të një besimtari të krishterë, qysh nga fillesat e besimit e deri në mbarim, në takimin e tij me Zotin, që në të vërtetë është një fillim i ri. E në fakt alegoria për Bunyanin do të jetë një rrugë bindëse për të bërë që çështje të rëndësishme të njihen nëpërmjet ekspresivitetit figurativ.
Një njeri i cili do të quhet I Krishterë, do të nisë odisenë e tij biblike, në kërkim të derës së ngushtë, duke ecur drejt dritës, për të gjetur paqe e shpëtim. Rrugës do të hasë karaktere të cilat do të emërtohen në paralelizëm me atë çka ata përfaqësojnë, e për këtë arsye emrat e tyre janë të ngjashëm me veset dhe virtytet që janë të shkruara në Shkrimin e Shenjtë. Në raste të veçanta narratori bëhet pjesë e ngjarjes të cilën po e rrëfen, më së shumti për të krijuar situata të tilla që të kuptohet alegoria nga lexuesi. Në rrjedhën historike të interpretimit të veprës letrare narratori është menduar si një me autorin. Këtë mendim e përmendim jo vetëm për shkak të interpretimeve që i janë bërë veprës, por edhe për shkak të paraqitjes qysh në variantet e para të portretin të John Bunyanit në fillim të rrëfimit duke fjetur. Mbi këto baza, Bunyani ka krijuar një lloj autoideografie, ku idetë dhe pikëpamjet e tij mbi besimin e krishterë i ka shprehur përmes alegorisë biblike.
Gjuha e përdorur është gjuhë e veçantë, e cila arrin në hieratizëm gjuhësor, ku jo vetëm që kemi citime të drejtpërdrejta biblike, por edhe strukturat sintaksore dhe gramatikore të fjalive janë të ndërtuara në analogji me Shkrimin e Shenjtë.
Duhet të theksojmë që nuk mendojmë se kjo vepër është një shkrim autobiografik, ashtu siç është konsideruar nga disa studiues. Një shkrim autobiografik në rradhë të parë i shërben vetë autorit për të rrëfyer ato çka ai ka përjetuar ndër vite. Ndërsa, vepra e Bunyanit nuk ka qëllim të shpalosë jetën dhe përjetimet e autorit, aq sa ka si qëllim të tregojë idetë, ndjenjat dhe reflektimet e tij mbi domethënien e besimit të krishterë të treguara në mënyrë të tillë, që merr trajta përgjithësuese.
Vepra merr përmasa universale sepse në botëkuptimin e shumicës prej nesh ekziston ideja e një destinacioni pas kësaj jete. Kjo ide qëndron në thelbin e gjithë ekzistencës sonë, dhe vepra propozon një destinacion, atë pranë Zotit, dhe ky destinacion arrihet duke besuar e duke bërë një rrugëtim të gjatë e të vështirë ku përsëri e vetmja gjë që të mbetet gjatë dhe në fund të këtij rrugëtimi është besimi. Me anë të tij do kryesh rrugëtimin dhe me anë të tij do marrësh frytet e Zotit kur të arrish në destinacion.
Bunyan solli jo vetëm një model shkrimi të ri në Europën e fundshekullit XVII, por vepra e tij pati një ndikim të gjerë në predikimet që bëheshin në kishat ungjillore (madje ka studime të veçanta për këtë) si dhe në jetën letrare.
Përkthimi i “Udhëtarit” nga Gjergj Qiriazi përfaqëson një nga dëshmitë e hershme të përkthimit të letërsisë angleze në gjuhën shqipe, duke pasuruar traditën e përkthimit të letërsisë së huaj, dhe duke treguar një orientim të përkthyesve drejt letërsisë biblike.
Edhe sot ai konsiderohet si një nga librat më te dashur, jo vetëm për rëndësinë që ai mbart në funksion të letërsisë dhe teologjisë, por edhe për stilin e zgjedhur nga autori, çka e klasifikoi ndër veprat më të rëndësishme dhe më me ndikim në letërsinë botërore.
Në kthimin në shqipen standarde të kësaj vepre, risjellim edhe
njëherë një shkrim i cili ashtu siç studiohet në shumë universitete prestigjioze të botës për vlerat letraro-biblike që ka, i japim rastin dhe mundësinë edhe studiuesve dhe studentëve të letërsisë në universitetet dhe institutet shqiptare që ta kenë në duar në gjuhën shqipe, dhe në varësi të interesave shkencore të futen në hullinjtë e kësaj kryevepre të letërsisë botërore.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).