Vjen në shqip autorja suedeze Helena Henschen me romanin “Në hije të krimit”

Vjen në shqip autorja suedeze Helena Henschen me romanin “Në hije të krimit”, fituese e Çmimit të Bashkimit Europian për Letërsinë (2009).

“Kam shkruar për pesë njerëz që vdiqën, për historinë e një vrasjeje, por njëkohësisht një libër për jetën dhe për dhimbjen. E ndjeva se duhej ta shkruaja këtë libër, sepse isha rritur nën hijen e një krimi i cili vazhdonte të na prekte ne që kishim mbetur nga ajo familje.”

Romani bazohet në historinë e një prej krimeve më të famshme të ndodhur në Suedi gjatë shekullit të XX-të. Në mars të vitit 1932, studenti 23 vjeçar Fredrik fon Sidou vrau në apartamentin e familjes në Stokholm, të atin, Jalmar fon Sidoun, një prej biznesmenëve më të njohur të vendit, e bashkë me të dy shërbyeset e familjes. Pas kësaj, bashkë me të shoqen, shkoi me taksi në Upsala, ku u ul të hante darkë në një prej hoteleve më luksoze, dhe më pas vrau të shoqen, pastaj dhe veten. Për vetë personazhet e famshëm të përfshirë në të, por dhe për faktin që asnjëherë s’u mor vesh ç’e kishte shtyrë të riun Fredrik fon Sidou të kryente një krim të tillë, ngjarja bëri shumë bujë.

Për vite me radhë autorja e librit kishte jetuar nën hijen e këtij krimi, që lidhej me familjen e saj. Jalmar fon Sidoun ajo e kishte gjysh. E megjithatë, askush në familje nuk fliste kurrë për këtë tragjedi, deri ditën kur Helena Henschen vendosi të hetonte të shkuarën e familjes së saj. Por ky roman s’duhet parë kurrsesi thjesht si historia e një familjeje, apo e një krimi. Aftësia e autores është që ajo ia del të japë mjeshtërisht portretin e asaj shoqërie në të cilën ndodhi ai krim.

Helena Henschen, e lindur dhe e rritur në Stokholm, një personazh i njohur i jetës kulturore si ilustruese librash për fëmijë, e para së gjithash si krijuesja e kompanisë së mirënjohur të dizajnit ‘Mah-Jong’, u bë e famshme në vitin 2004 me romanin e saj “Në hije të krimit”, për të cilin u nderua me një sërë çmimesh letrare, ndër të cilët atë të Akademisë Suedeze të Arteve, si dhe Çmimin e Bashkimit Europian për Letërsinë (2009).