VIDEO/ “Polina” filmi më i ri nga Angjelin Preljocaj vjen në Tiranë

Koreografi me origjinë shqiptare e me famë botërore Angjelin Preljocaj, do të rikthehet sërish në kryeqytetin e vendit me një tjetër vepër, pas suksesit të shfaqjes së baletit “Un Trait d’Union”.

Filmi i tij i fundit “Polina” do të shfaqet më 23 mars, ku gjatë kësaj premiere në Tiranë do të jetë i pranishëm Preljocaj, si edhe bashkëshortja e tij Valeri Muller, që është regjisore e filmit.

Ambasada Franceze e ka bërë të ditur këtë lajm nëpërmjet një konference për mediat që Këshilltarja për Kulturën e Ambasadës, Rose-Anne Bisiaux, mbajti në kuadër të aktiviteteve kulturore të “Pranverës Frankofone”.

“Kinemaja është konsideruar si pjesa më e rëndësishme e edicionit të sivjetshëm të këtij muaji kulturor. Pranvera frankofone e këtij viti do të vijojë me shfaqjen e 12 filmave të ndarë në tri cikle. Ky muaj kulturor do të vijojë me festivalin e teatrit, me katër mbrëmje muzikore, pop francez e rep zvicerian dhe me letërsinë franceze”, ka deklaruar Bixiaux.

Aktivitetet kulturore në kuadër të muajit frankofon në Tiranë nisën mbrëmjes e së premtes në Akademinë e Filmit “Marubi”, ku u shfaq filmi “3 burra dhe një fëmijë” i regjisores franceze Coline Serrau. Një ditë më pas, u vijua me muzikë franceze në Tulla- Culture Center. Përveç filmave francezë, gjatë muajit mars aktivitetet e pranverës frankofone do të shtrihen në të gjitha rrethet e Shqipërisë, ku përfshihen ekspozita, teatro, diskutime mbi letërsinë franceze dhe kërkimet arkeologjike.

Image result for polina by angjelin preljocaj
Angjelin Preljocaj

Ky film pasqyron simbolikisht jetën e koreografit Angjelin Preljocaj, por subjekti tregon sfidat e një balerini të universalizuar nën personazhin e një vajze ruse, Polinës, e cila kishte pasion baletin dhe ushtrohej rreptësisht në baletin klasik.

Frymëzim është bërë historia e një balerine të re, Anastasia Shevstova, e cila erdhi nga një qytet i ftohtë i Rusisë drejt Francës, ku edhe mësoi baletin pavarësisht sakrificave që bëri. Në filmin “Polina” vendoset një portret psikologjik i një gruaje të re që zbulon botën dhe që shpaloset mbi kapjen e vallëzimit modern nga kamera. Filmi krijon sekuenca të mahnitshme vallëzimi, ku producentët kanë arritur ta bëjnë kamerën pjesë të koreografisë.

Një histori të ngjashme me personazhin e filmit përjetëson edhe Angjelin Preljocaj, i cili lindi në Francë nga prindër shqiptarë dhe nisi studimet për balet klasik përpara se të merrej me kërcimin bashkëkohor pranë Karin Waehner.

Në 1980-n, ai shkon në Nju Jork për të punuar me Zena Rommett dhe Merce Cunningham, më pas ai vazhdon studimet e tij në Francë.  Në vijim ai i bashkohet Dominique Bagouet-it deri në çastin kur krijoi kompaninë e tij të parë në vitin 1985. Ai ka krijuar deri më sot koreografitë e 50 pjesëve të baletit, nga solot deri tek format më të mëdha.

“Polina” është dhënë premirë në muajin shtator të 2016-s në në “Pavillon Noir & Aix” në Provence, Francë. Ky është filmi i parë me metrazh të gjatë i Angjelin Preljocajt, i realizuar me bashkëshorten e tij Valérie Müller.

Për Preljocaj ky nuk është i vetmi film, ai ka realizuar një një seri filmash me motive të koreografisë, që kryesisht janë me metrazh të shkurtër si: “Le postier, Idées noires” në 1991; “Un Trait d’Union” dhe “Annonciation”, si dhe “Borëbardha”, i realizuar në 2011-ën.

Trailer: