Art & Kulturë

Valbona, destinacioni i zgjedhur nga 120 mijë turistë në vitin 2017

 

Parku Kombëtar i Valbonës është vizituar këtë fundvit nga shumë persona, të cilët kanë festuar mes natyrës së rrethuar nga dëbora, natën e ndërrimit të viteve.

Vetëm këtë vit, në Luginën e Valbonës u futën rreth 120 mijë vizitor të huaj dhe vendas, thotë për ATSH Besnik Hallaci, Drejtor i Parkut Natyrorë të Tropojës.

Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar të vitit 1996.  Ajo konsiderohet si mrekullia e Alpeve, e cila kufizohet me Parkun Kombëtar te Thethit dhe zonën natyrore ”Lumi i Gashit”, së fundmi e mbrojtur nga UNESCO për vlerat e biodiversitetit.

Territori i saj përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi – Valbonë e Çerem. Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave, duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte.

Valbona është lumi më i madh i Alpeve që derdhet në Drin. Zbritjet e lumit nga Bjeshkët e Rragamit e Çeremit plot zhurmë e shkumëzim japin një pamje të veçantë për turistët. Uji është i pastër, i kthjellët, i rrëmbyeshëm dhe mjaft i tejdukshëm. Parku është i pasur me guva e shpella, ku njëra prej tyre është dhe shpella e Dragobisë.

Gjatë dimrit, Parku i Valbonës cilësohet si zona më e ftohtë, ku në disa raste temperaturat zbresin në – 10° C deri në – 20°C., ndërsa vera është mjaft e freskët. Hoteleria është ajo tradicionale me ndërtesa kryesisht dykatëshe të stilit tradicional, me çati të pjerrëta e në të rrallë edhe me tjegulla, por së fundmi janë ngritur hotele bashkëkohorë me të gjitha komoditet. Vizitorët këtu gjejnë ushqim tradicional, shtrojë e mbulojë, pra, gjithçka.

Gjithashtu, lundrimi me tragetin Fierzë-Koman paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Valbonën në të katër stinët.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).