U zgjodh “Libri artistik i vitit”, Endel Demi (Tom Kuka) rrëfen orën e tij të ligë

Jam zgjuar diku në orën 04.30, ndërsa jashtë kishte ngrirë gjithçka. Unë jam njeri që vuaj gjëra të paqena për shumëkënd. Fjeta keq dje dhe gjithë paraditen e kalova hundë e buzë. Arsyeja mund t’i duket dikujt qesharake, por mua më torturoi gjithë natën e lume. Është punë futbolli, ndaj nuk po futem në hollësi. Këtë dert do të ma kuptonte vetëm Plaku Santiago që në mes të detit kishte hallin e DiMaggio-s.

Si njeri besimpak bie shpesh në bestytnitë e rëndomta; meqë ata DiMaggio-t e mi dje më nxinë jetën, e këtillë do të ishte ajo çka do më ndiqte në këtë javë të akullt. Kur bëj të shkoj në punë termometri shënonte -5, ndërsa i ftohti më kishte hyrë në çdo kënd të qenies sime.Është nga ato ditë, kur jam qejfmbetur dhe nuk flas dot rrjedhshëm, por belbëzoj. Në kësi rastesh uroj që ime shoqe mos të më shohë, sepse më vë në lojë, meqë jam gagaç.Nuk shkon asgjë sipas zakonit. Kjo më ngre nervat. Janë plot çikërima që nuk janë në vendin e duhur, gjë që e bën ngulitjen time pas mbrothësisë të duket e mbrapshtë. Lë punën dhe marr për në shtëpi. Nuk dua të bëj asgjë. Dua të mbyllem dhe të fle. Një makinë policie më vihet pas. Më bëjnë shenjë me sirena të ndalem. Jemi në mes të Tiranës, në mes të rrugës së madhe, në mes të një grumbulli makinash, por ata duan që unë të ndalem. Ndaloj. Gjatë kohës që polici më afrohet kuptova që dita e keqe nuk ka për të patur një fund. Bëj gati një fjalim heroik kundër qeverisë. Polici çuditërisht më buzëqesh. Më njofton me shumë mirësjellje që më kanë mbaruar dokumentat. Ka verifikuar targën. Më lë të shkoj.

Jam si Plaku Santiago që nuk më bie gjë në grep që prej 84 ditësh. Ai po harxhon karemat e fundit, unë ca pare për sigurimin e makinës. Sak në këtë çast një zonjë më thërret në telefon dhe më thotë që kam fituar me “Orën e ligë” çmimin si librin artistik të Akademisë Kult.Mbetem pa fjalë. Nuk jam gagaç, jam memec. Kam drojë, se mos zonja mendon që jam mendjemadh, përderisa po hesht gjatë. Prandaj Zoti është i madh, se ka krijuar frikën. Lëshova një lumë falenderimesh, të cilat as vetë nuk e dija që i zotëroja. Pjesën tjetër të udhës për në shtëpi dëgjoja tingullin e telefonit që më bënte me dije se po më mbërrinin fjalë të mira, lëvdata nga dashamirët. Kjo më bëri esëll, më çoi të shkruaja këto radhë.Por, me thënë të drejtën unë nuk shkruaj për çmime. Me letërsinë dashuria ime është e qashtër, pa kurrëfarë prapamendimi. Letërsia, Toma, jam unë nga kreu në fund. Shkrimi më bën të plotë.Ama, vetëm për fjalët e përzemërta që mora, që po marr e do marr, ia vlen të fitosh një çmim. Pasi dhe unë si Plaku Santiago thellë-thellë dua të jem në qendër të vëmendjes. I gjori plak e mendonte që do të kalonte në plazh ngarkuar me peshkun e tij të madh dhe të gjithë ata që e kishin shpotitur do e përshëndesnin, do flisnin për të në mbrëmje, tek hidhnin ndonjë gotëz rum apo tek ia përshpërisnin të dashurës në vesh poshtë natës me yje. Do u thonin që ata e njihnin Plakun Santiago, e kishin mik dhe kjo do i lartësonte në sy të çupave ezmere.Ja kaq donte Plaku Santiago, ta vinin re, ta shihnin lavdinë e tij, prandaj u përpoq e luftoi deri në vdekje që peshkun e madh mos t’ia hanin bishat e detit.Kaq dua dhe unë, ani se nuk kam me kë të luftoj, sepse i kam këmbët të ngulura në stere. Kuptoj që një njeri mendjengushtë si unë që vuan, nëse i gjen këndet mbulesës së tryezës shtrembër apo hidhërohet nga një ndeshje futbolli, paska dekikat e tij të lavdisë.

Faleminderit Akademia Kult.