Art & Kulturë

Turizmi shqiptar në median japoneze: Shqipëria eksperiencë mahnitëse, një vend ende i paeksploruar

A e njihni Shqipërinë?, pyet shkrimtari japonez, Mizuho Ota në një shkrim për ”Asahi Shinbun”, një nga dy gazetat kryesore japoneze, me një tirazh prej 10 milionë kopjesh.

”Shqipëria është një vend i vogël në Gadishullin e Ballkanit, në Europën Lindore. Shqipëria, që ka qenë një vend i izoluar për një kohë të gjatë, po përjeton aktulisht një rritje të madhe në aspektin turistik, por popullariteti i saj në Japoni është akoma i ulët. Mizuho Ota ishte mahnitur kur vizitoi Shqipërinë dhe shkroi këtë artikull në tri pjesë për të prezantuar Shqipërinë dhe për të shkëmbyer përvojën e tij. Pjesa e parë ka të bëjë me Tiranën, kryeqytetin e vendit.

Parqe të bukura dhe një kulturë unike historike

A do të dinit të përgjigjeshit nëse pyeteni “Ku ndodhet Shqipëria?” Ajo ndodhet në pjesën jugperëndimore të Ballkanit, me Greqinë në jug dhe Italinë në perëndim. A nuk është e pazakontë të mos e njohësh këtë vend, që rrethohet nga fuqi të tilla destinacionesh turistike? (shumë vetë e ngatërrojnë Shipërinë me Armeninë, por Armenia është larg, në Lindje, midis Detit të Zi dhe detit Kaspik).
Edhe pse nuk mund të jetë vendi i parë që ti mendon si një destinacion turistik, Shqipëria  është e pasur me site të trashëgimisë botërore dhe parqe të bukura kombëtare dhe ka një kulturë dhe një histori unike. Kam vizituar Shqipërinë rastësisht në vitin 2018, por më pas e vizitova përsëri në vitin 2019 vetë dhe tani ajo është bërë një nga destinacionet e mia të preferuara.

Kur zbrita për herë të parë në aeroportin e Tiranës, ndjeva se ishte i ngjashëm në madhësi me një aeroport rajonal në Japoni. Ishte e mbështjellë me ajër të freskët dhe qielli ishte blu, rrethuar nga malet që dukeshin në largësi.

Të sjellshëm dhe miqësorë

Sapo hipa në autobusin që lidh aeroportin me Tiranën, një burrë i ulur pranë meje më pyeti se nga vija. Ai ishte trupmadh dhe goxha i bëshëm, por çuditërish toni i tij ishte shumë miqësor dhe i shoqëruar me një buzëqeshje të zgjatur. ” Nga Japonia? Kur kam qenë fëmijë kam jetuar në Greqi dhe kam parë shumë japoneze!” Ai më tha se quhej Ilir, se  punonte si guidë turistike dhe se po kthehej në Tiranë pasi kishte përcjellë një mik.

“Emri Ilir vjen nga Iliriya, që tregon Shqipërinë në gjuhën tonë. Diçka për të vizituar në Tiranë do të rekomandoja Bunk’Art. Unë mendoj se do ta shijoni. Gjithashtu ka një teleferik aty pranë që mund ta merrni për të shijuar pamjen nga maja e malit”, shtoi ai.

Ai me mirësi filloi të më shpjegonte mua për Shqipërinë dhe kur mbërritëm në Tiranë, më tha se po shkonte nga gjyshja.

”Shijojeni Shqipërinë!”, më tha, ndërsa zbriti shpejt e shpejt nga autobusi.

Gjatë dy javëve në vazhdim që udhëtova nëpër Shqipëri, takova njerëz të panumërt si Iliri. Një nga tërheqjet më të mëdha të Shqipërisë është se ajo ka kulturë në mikpritjen e të huajve, duke i mirëpritur dhe respektuar jashtëzakonisht kudo që ata shkojnë.

Qyteti ku jetojnë një e treta e shqiptarëve

Tirana është e vendosur në brendësi rreth 30 kilometra larg detit Adriatik, është një qytet i madh me rreth 800 000 banorë, përfshirë rrethinat e saj, afër një e treta e tërë popullsisë.

Thënë kjo, ajo ka pak zinxhirë dyqanesh globale, e lëre më rrokaqiej. Shenjat e ”McDonald” dhe ”Starbucks”, të përhapura në çdo qytet tjetër në botë, këtu mungojnë. Por, unë e shoh atë tërheqëse, ndërsa shëtisja përgjatë ndërtesave shumëngjyrëshe të stilit perëndimor me dekorime dhe ndërtesa të stilit komunist me dizajn linear minimalist.

Për periudha të gjata kohore Shqipëria ka qenë e sunduar nga fuqi të mëdha si perandoritë Romake dhe Osmane. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria, nën regjimin komunist, filloi një periudhë izolimi që zgjati për gati 50 vjet. Mbetjet nga ato periudha mund të shihen në të gjithë qytetin dhe janë një nga kënaqësitë e ecjes nëpër Tiranë.

Në qendër të qytetit është sheshi ”Skënderbej” i rrethuar nga Muzeu Kombëtar dhe Opera. Sheshi mban emrin e Skënderbeut, heroit kombëtar që luftoi kundër turqve në shekullin XV dhe ishte në gjendje të fitonte pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Statuja madhështore e tij mbi kalë, është e vendosur në qendër të sheshit.

Sapo të largoheni nga qendra e qytetit atmosfera ndryshon, me ndërtesa të vjetra dhe të mbushura me njerëz. Shumë mure po shemben dhe rrugët kanë edhe probleme, por kudo është pastër, me fëmijë duke luajtur dhe njerëz që shesin perime dhe fruta në anë të rrugës. Si turist ndihem i sigurt. Lypësit e zakonshëm që i gjeni në qytete të mëdha europiane, këtu pothuajse mungojnë.

Një pjatë plot me djathë të bardhë dhe kos

Nëse jeni lodhur duke ecur, mund të porosisni një kafe ekspres ose një birrë në një kafene dhe të kënaqeni duke shikuar njerëzit që po kalojnë.

Kafenetë, restorantet dhe dyqanet që shesin byrekë me djath apo mish, janë kudo në qytet dhe janë plot me njerëz që bisedojnë me njëri-tjetrin.

Kuzhina shqiptare, e cila kombinon shijet greke dhe turke, përdor djath të bardhë, ullinj dhe kos dhe është mjaft e shijshme. Ndihesh mirë duke ngrënë qebap që piqet përpara dyqanit, bashkë me një gotë birrë ose dhallë. Ju gjithashtu mund të shijoni ushqim autentik italian, siç janë makaronat e bëra në shtëpi dhe picat e pjekura në furrë me  çmime të arsyeshme.

Strehimi antibërthamor shndërrohet në muzeun “BUNK’ART 1”

BUNK’ART1, i rekomanduar nga Iliri, është rreth 30 minuta nga qendra e qytetit me autobus. Gjatë epokës komuniste rreth 180 000 bunkerë u ndërtuan në të gjithë vendin në përgatitje të një lufte bërthamore, dhe madje edhe sot, bunkerët hemisferikë si enët e përmbysura janë kudo.

Bunkeri i përdorur për “BUNK’ART 1” ishte më i madhi prej tyre, i ndërtuar për të strehuar zyrtarët e lartë të qeverisë.

Streha bërthamore është e madhe, ajo shtrihet për pesë nivele nëntokësore me dhoma të vogla të panumërta në brendësi, të ngjashme me një tunel, ku shfaqen materiale historike nga koha. Vlen të vizitohet, por në varësi të kohës, vizitorët mund të jenë të pakët. Tuneli i gjerë nëntokësor është plot tinguj nga një kohë e kaluar dhe me manekinët e vërtetë, të shpërndara përreth mund të jenë një përvojë mjaft e frikshme. Për një përvojë më të zbutur mund të vizitoni “BUNK’ART 2” në zemër të Tiranës.

Për një çerek ore më këmbë mund të shkosh nga ky muze te teleferiku “Dajti Ekspres”, për t’u ngjitur në majën e malit të Dajtit dhe për të parë Tiranën nga lart.

Nga këtu ju mund të shihni shtëpitë dhe natyrën të ndërthurura së bashku, çka rrit frymëzimin tuaj të aventurës. Unë e rekomandoj fuqimisht vizitën në perëndim të diellit, kur ju mund ta shihni qytetin të përflakur nga ngjyrat e kuqe të ndezura.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).