Art & Kulturë

Trio Reve dhe 16 Shekuj Muzikë Shqiptare

“Njih vetveten!” Këto janë fjalët me të cilat e fillon veprën e tij Ramadan Sokoli, duke na sjellë një studim të rralle në fushën e kulturës sonë kombëtare. Vepra e tij përfshin një diapazon të gjerë në një periudhë kohe 16 shekuj, nga rënia e perandorisë Romake deri në kohën e pavarësisë. Ramadan Sokoli dokumentoi se muzika e aplikuar dhe e shkruar shqiptare i ka rrënjët e saj gjashtëmbëdhjetë shekuj më parë, në mesjetën e hershme me përfaqësuesin e saj Niketë Dardanin i cili në shek.IV shkroi himnin e famshëm “Te deum”. Ky himn frymëzoi më pas kompozitorët më të famshëm botërorë si Charpentier, Haydn, Mozart, etj. Më pas përfaqësues të tjerë në shek.XIV me Jan Kukuzelin, Gjergj Danush Lapacaja shek.XVI, Ismail Dede Efendi shek.XVIII, Luca dhe Anton Sorga te shek.XVIII-XIX,Palok Kurti, shek.XIX, Lec Kurti, Fan S. Noli, Thoma Nasi etj. shek.XX. Gjithashtu për shqipërinë e shqiptarët kanë shkruar përgjatë shekujve edhe kompozitorët më të famshëm botërorë si Antonio Vivaldi, Françoise Rebel, Françoise Francoeur, Edward Jones etj.

Projekti “16 shekuj muzikë shqiptare” ka si qëllim të sjellë për publikun muzikën e dokumentuar nga Ramadan Sokoli. E gjithë kjo muzikë e larmishme e këtyre autorëve është  përshtatur në arranzhim për trion klasike “Trio Rêve (violinë, violonçel dhe piano). Prakticiteti që të ofron përshtatja e këtyre muzikave të gjinive të ndryshme (himne, folk, simfonike, opera, koncertale, etj) në një trio klasike bën që ajo të shkojë shumë shpejt dhe mjaft e kuptueshme për një publik të larmishëm në grupmosha. Kjo bën të mundur prezantimin dhe shijimin e gjashtëmbëdhjetë shekujve muzikë të kombit shqiptar dhe dedikimeve për të nga miqt dhe dashamirësit e tij nga e gjithë bota.

Programi është kuruar, përshtatur dhe arranzhuar nga Armand Borshka. Prej vitit 2021 bashkëpunon si orkestrues me Orkestrën Simfonike te RTSH, dhe ka orkestruar për disa ne rajon dhe më gjerë dhe për disa ansamble dhome.  Prej vitit 2010 eshte mësues i violinës dhe muzikes se dhomës pranë Liceut Artistik “Onufri”, Elbasan.

Trio Rêve, përbëhet nga Adem Hasani, pianist; Dardan Osmanaj, violinist; dhe Igert Zeqiri, violonçelist. Pas përfundimit me sukses të koncerteve në Shkodër dhe Korcë, më datë 24 maj, në orën 19:00, “16 shekuj muzikë shqiptare” vjen në Tiranë, në Teatrin Metropol.

Ky projekt është mbeshtetur nga Ministria e Kultures, ne bashkepunim me Teatrin Migjeni Shkoder, Teatrin Andon Zako Çajupi Korçe dhe Teatrin Metropol Tirane.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).