Art & Kulturë

Tom Sojeri, personazhi që donim t’i ngjanim kur ishim fëmijë

Nga Flogerta Krypi

Tom Sojeri dhe aventurat e tij, besoj se është personazhi, i cili është lexuar nga të gjithë ne dhe në një formë apo një tjetër, jemi përpekur t’a imitojmë apo t’i ngjanim sado pak. Kur e kam lexuar për herë të parë duhet të kem qenë rreth dhjetë vjeç dhe akoma i kam në shtëpi dy kopje nga botimi i vjetër i këtij libri.

E mahnitur pas moskokçarjes së Tomit dhe shpesh duke gjetur veten tek “dembelizmi” i tij për të bërë punë shtëpie, e shijoja edhe më shumë faktin që nëpër libra gjendej një personazh që mendonte si unë dhe kjo nuk ishte gjë e keqe. Tomi është një djalë trazovaç dhe pak përtac, por me shpirt të mirë dhe gjithmonë i gatshëm për të bërë aventura. Ai i kthen detyrat e tij në lojra, e në këtë formë tërheq gjithë miqtë rreth e rrotull që ta ndjekin lojën e tij.

Sigurisht, jo gjithmonë aventurat shkojnë ashtu siç duhet. Ndonëse jeton me tezen e tij Poli dhe gjysmë-vëllain Sindi, Tomi përpiqet të ketë një jetë të shkëputur dhe pak të pavarur. Mark Tuen ka shkruar tre libra, ku ky personazh zhvendoset dhe ndryshon nga pak jetën e atyre që e rrethojnë. Në hyrje të librit të botuar autori ka lënë këtë shënim dhe sqarim për lexuesit:

“Shumica e aventurave që do të tregohen në këtë libër kanë ndodhur me të vërtetë. Një pjesë prej tyre i kam jetuar vetë, të tjerat shokë të mi të shkollës. Hak Fini, për shembull, është krejt siç ka qenë në jetë, Tom Sojeri po ashtu, vetëm se për të mu desh të bashkoj e të thur në një tiparet e tre djemve që kam pas njohur, të sajoj, si të thuash, tipin përmbledhës letrar.
Sa për besëtytnitë që ceken këtu, edhe ato kanë qenë mjaft të përhapura ndër kalamajtë dhe skllevërit e Perëndimit në kohën e kësaj historie, d.m.th. nja tridhjetë a dyzet vjet më parë.
Libri u drejtohet në radhë të parë fëmijëve, djem e vajza, po edhe të rriturit shpresoj se s’do t’ia kthejnë kurrizin. Fundja, unë e pata edhe këtë synim kur shkrova, që t’u kujtoj të rriturve se si kanë pas qenë dikur, se ç’u thoshte zemra, mendja e goja atëherë, se ç’bëma të çuditshme u shkrepnin në kokë here pas here”.

Bazuar në këtë libër janë luajtur disa filma të cilët kanë ruajtur shumë mirë dhe thelbin e librit. Në gjuhën shqipe këto romane për fëmijë janë botuar nga disa shtëpi botuese, por së fundmi në 2014, nën përkthimin e Ardian Klosit, kanë ardhur në shqip tek Botimet Dudaj.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).