Të mërkurën mos bëni plane! Ëndërrimet e Naim Frashërit nën interpretimin e super artistëve vjen tek Pazari i Vjetër në Korçë

Një super shfaqje më 6 Qershor do të bëjë bashkë super artistë. Ëndërrimet e Naim Frashërit vijnë nën interpretimin e Margarita Xhepës, Dhimitër Orgockës, Zamira Kitës, Gulielm Radoja, Rajmonda Bulku dhe Kristian Koroveshi. Ky i fundit është edhe organizatori i kësaj shfaqjeje që pritet të ngrejë në këmbë publikun. Padyshim interpretimet fantastike të këtyre emrave kaq të njohur për publikën nuk mund ti mungojnë notat muzikore. Në violinçel do të jetë Lida Radoja, e cila do shoqërojë çdo frazë të këtij vëllimi poetik.

Kjo shfaqje financohet nga Ambasada e Iranit dhe Fondacioni kulturor Saadi Shirazi.

Pak për vëllimin poetik Ëndërrimet ose e thënë me titullin origjinal Tehajjulat.

Libri “Tehajjulat”, ose siç ka ardhur në shqip me titullin “Ëndërrimet”, është vepra që ka ndriçuar prirjet shpirtërore të Naim Frashërit, sepse secila poezi është ngjizur ose me një lëndë moralistike, ose mbi bazën e misticizmit, ose mbi të vërtetën e krijimit të botës e të jetës, ku të gjitha kanë një bosht të përbashkët, i cili është qëllimi për ta çuar njeriun drejt përsosmërisë së plotë. Ndryshe nga praktikat krijuese të përbotshme, shembulli i Naim Frashërit është tejet i veçantë, sepse rrallë herë ndodh njësimi, apo barazimi mes autorit dhe heroit lirik. Ekzistenca e këtij njësimi dëshmohet me faktin se vetëm një njeri i madh moralisht, mund të bëjë vepra të mëdha në dobi të njerëzimit. I tillë ishte edhe autori Naim Frashëri, një njeri që tejkaloi fatkeqësitë individuale (vuajtjen nga sëmundja e turbekulozit dhe vdekjen e njerëzve të tij më të dashur si e bija, motra, vëllai etj.) dhe përqafoi një botëkuptim më të gjerë, pikërisht përhapjen e mesazheve shpresëdhënëse e paqësore. Edhe pse me shpirt të helmuar nga sprovat e jetës personale, ai arriti që në poezi të paraqesë virtytet më fisnike shpirtërore dhe elementet që duhet të drejtojnë jetën e çdo qenieje njerëzore.

“Tehajjulat”, ku autori ka mundur të përcjellë pjesë nga figuracioni dhe fjalori i poezisë lindore, duke i veshur me tisin e personalitetit të tij krijues. Në këtë buqetë me lirika, të stolisur me stilin e miniaturave liriko-filozofike, dëshmohet ndikimi i autorit prej kulturës lindore, sepse përdoret simbolika e burimit kuranor për të paraqitur botën shpirtërore të njeriut. Para syve të një panteistit të vërtetë, siç është Naim Frashëri, spiritualizmi dhe materializimi janë si dy pasqyra me ngjyra të ndryshme në dukje, por që në esencë shërbejnë për reflektimin e jetës e të natyrës, të cilat burojnë prej një uniteti absolut. Gjithësia konsiderohet si shkolla e shfaqjes së këtij uniteti. Ndërsa organi me të cilin njeriu e njeh praninë e këtij uniteti absolut nuk është mendja, por është zemra. Në vargjet e poezisë “Gjuha e zemrës” dëshmohet se mjeti dhe mënyra për t‟iu afruar Zotit është vetëm dashuria ndaj tij: Prandaj zemrës kjo gjuh‟ i është dhënë Që t‟i thotë asaj të fshehtën e pathënë.

Ja vlen! Edhe nëse nuk jeni në Korçë, nisuni për atje. Të mërkurën, më 6 Qershor në orën 19:00, super shfaqje tek pazari i ri.