“Tani, Tani, Tani” ekspozitë në ambientet e COD në kryeministri

Artistja suedeze Mia Enell ka çelur që prej datës 9 janar në ambientet e COD në kryeministri, ekspozitën “Tani, tani, tani”, një rebus pamor që ngacmon me një thjeshtësi simbolike. Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 9 shkurt, nga ora 19:00- 21:00.

Mia Enell prezantoi 22 punime në hollin protokollar të Kryeministrisë dhe në sallën “Tako Artistin”. Ekspozita që gërsheton pikturën me vizatimin është kuruar nga Genti Gjikola dhe bën bashkë vepra që “përtej lehtësisë së dukshme dhe thjeshtësisë, shfaqin kompleksitetin e botës që Mia Enell kërkon të zbulojë”.

Në skicat dhe vizatimet e saj fëminore, duket se Enell pajtohet me përkufizimin themelor të Frojdit se shqetësimet e pacientit janë të rrënjosura në një anomali të përgjithshme, në një sëmundje që nuk mund të shërohet dot nga terapia psikanalitike. Personazhet e saj s’mund të ndërmarrin analizën e vendit të tyre, në një botë që tashmë nuk është më misterioze. Siç thotë edhe Sartri te “Qenia  dhe Asgjëja”, “autenticiteti dhe individualiteti duhet të fitohen”.

Qëllimi i punës së Mia Enell është të harmonizojë kërkime formale piktorike me pyetje të drejtpërdrejta filozofike në një mëdyshje me rëndësi, por dhe destabilizuese: “Pse gjërat janë kështu si janë dhe jo ndryshe?

Mia Enell

Çdo vepër e Enell ofron një trajektore personale që gërsheton botën e ëndrrave, realitetit dhe fantazisë, me sferat e artit, estetikës, metafizikës dhe subjektivitetit. Motivi i saj i përsëritur duket të jetë shkurtimi dhe mjegullimi i distancës midis asaj që ne e quajmë pjellë e fantazisë dhe asaj që kuptojmë si të vërtetë, reale. Meandret e saj të ndërlikuara piktorike që cekin gjuhësoren dhe simboliken, së bashku me metodën e saj të personalizuar të portretizimit dhe kapjes së alienizimit të shoqërisë bashkëkohore, koagulohen në një këndvështrim të veçantë artistik.