Art & Kulturë

Sot, ditëlindja e dramaturgut shqiptar Et’hem Haxhiademi

Et’hem Haxhiademi lindi më 8 mars të vitit 1902 në Elbasan dhe sot do të ishte ditëlindja e tij e 116-të.

Përfaqësuesi i rrymës së klasicizmit në letërsinë shqipe, Haxhiademi ishte edhe një nëpunës dhe veprimtar politik i Ballit Kombëtar.

Ai vdiq në burgun e Burrelit ku ishte mbyllur si një “Armik i Popullit” më 17 mars 1965, në moshën 63 vjeçare. Veprat e tij u ndaluan që të lexoheshin nga shoqëria komuniste e asaj kohe dhe u hoqën nga qarkullimi.

Në vitet ’30 të shekullit të kaluar, ai botoi tragjeditë “Uliksi”, “Akili”, “Aleksandri”, “Pirrua”, “Skënderbeu”, “Diomedi” dhe “Abeli”. Penës së tij i takojnë edhe një përmbledhje poezish me titullin “Lyra” (1939), dhe përkthimi i “Bukolikeve” të Virgjilit (1932).

Ish të burgosur në këtë burg kanë folur edhe për dy vepra që Haxhiademi ka shkruar gjatë kohës atje: “Jeta e njeriut” (roman) dhe “Koha e premtueme” (dramë), të cilat nuk janë gjetur ende sot e kësaj dite.

Mbetet detyrë e dorës së parë po aq letrare sa edhe patriotike, që historia e letërsisë dhe kritika letrare të pasqyrojnë e të analizojnë veprimtarinë letrare të shkrimtarit Et’hem Haxhiademi, që ky të jetojë në letërsinë dhe në kujtesën e popullit tonë për të cilin punoi dhe vdiq.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).