Art & Kulturë

Shteti serb financon dokumentarin për dy nga betejat më të përgjakshme të Kosovës

Një dokumentar mbi betejat e Koshares dhe të Pashtrikut, ku u përleshën në vitin 1999 forcat serbe me Ushtrinë Ҫlirimtare të Kosovës, është në fazat e përgatitjes.

Gjenerali në pension i Ushtrisë Jugosllave, Dragan Zivanoviç, dhe koloneli Dusko Sljivancanin, të cilët janë akuzuar, por e kanë mohuar të kenë qenë përgjegjës për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë, do të shërbejnë si konsulentë jozyrtarë për dokumentarin me tre pjesë, u lajmërua të enjten.

Dokumentari mbi betejat në Koshare dhe Pashtrik në vitin 1999, po prodhohet nga Ministria Serbe e Mbrojtjes dhe televizioni publik RTS.

“Oficerët po merren në pyetje për filmin, por në një farë mënyre ata janë gjithashtu konsulentë ekspertë,”-, tha regjisorja e dokumentarit, gazetarja e RTS Sladjana Zariç, në një konferencë shtypi në Beograd.

Beteja në postën ushtarake të Koshares u zhvillua midis Ushtrisë Jugosllave dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga 9 prilli deri më 10 qershor 1999.

Luftimet në malin Pashtrik, në kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë, vazhduan nga 26 maji deri më 14 qershor të të njëjtit vit, shkruan Balkan Insight.

E pyetur nga BIRN për koston e dokumentarit, regjisorja Zariç tha se realizimi do të bëhet me ndihmën e forcave të armatosura serbe, ndërkohë që intervistat nuk kushtojnë asgjë.

Sljivancanin tha se pyetja e BIRN-it në lidhje me koston “e zemëroi atë” dhe ai nuk iu përgjigj pyetjes pasardhëse në lidhje me padinë penale të ngritur kundër tij nga HLC-ja.

Dokumentari prej tre pjesësh do të shfaqet për herë të parë me rastin e 20 vjetorit të betejës në Kosare më 9 prill 2019./kultplus

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).