Shqipëria sërish pjesë e panairit të librit me moton, “Lajpcigu lexon”

“Lajpcigu lexon“ me këtë moto ka hapur dyert Panairi i Librit në Lajpcig. Kosova prezantohet për herë të parë si shtet, kurse Shqipëria kërkon të zgjerojë më shumë kufijtë letrarë drejt perëndimit.

Shqipëria në Lajpcig – ndërkohë është kthyer në traditë. Në bashkëpunim me rrjetin gjerman të përkthimit “Traduki”, autorët shqiptarë ka vite që jo vetëm prezantojnë veprat e tyre, shkëmbejnë e krijojnë kontakte të reja, ata marrin pjesë edhe në debatin kulturor ballkanik në podiumet e organizuara posaҫërisht për këtë në stendën e “Tradukit”.

Këtë vit Ministria e Kulturës kishte sjellë dy autorë të rinj, Saimir Muzhakën dhe Lisandri Kolën që të ishin pjesë e diskutimit në Lajpcig. Fokusi këtë vit ishte drejtuar tek autorët e nderuar me ҫmime, portrete në përmasa të mëdha të këtyre autorëve kishin përkufizuar stendën e Shqipërisë.