Shqipëria përfaqësohet në festivalin e Kanës me filmin “Open Door”

Festivali i Filmit në Kanë do të mirëpresi prodhime të ndryshme kinematografike nga e gjithë bota, gjatë kohës së zhvillimit të tij, prej 8 deri më 19 maj.

Vendi ynë do të përfaqësohet në këtë festival me filmin shqiptar “Derë e hapur”, me skenar e regji të Florenc Papas dhe bashkëskenariste Ajola Daja.

Filmi është një ndër tre filmat nga rajoni që do të shfaqen në këtë festival prestigjoz, i cili do të jetë pjesëmarrës në atë pjesë të programit ku do të shfaqen filmat që janë në fazën e pasprodhimit.

“Tema që trajtohet është përplasja mes tradicionales dhe modernes midis brezave e cila është e pranishme dhe sot. “Derë e Hapur” merret me këtë tematikë edhe pse nuk kërkon të thotë se e gjithë shoqëria jonë është tradicionale dhe hera- herës patriarkale, por kërkon të thotë se këto forma ekzistojnë akoma dhe janë të pranishme në shoqëri”, është shprehur regjisori Florenc Papas.

“Derë e hapur” është xhiruar vitin e kaluar gjatë stinës së vjeshtës dhe ajo trajton historinë e tre personazheve kryesore, dy motrat Rudina & Elma, si dhe djali 5-vjeçar i Rudinës.

Filmi eksploron mbi jetën e dy motrave, të cilat kanë frikë të shkojnë tek babai i tyre në fshat. Motra e vogël kthehet shtatzanë dhe e pamartuar nga Italia, ndërsa motra e madhe e pret në port. Të dyja nisin rrugën për në fshat, pa ditur se si do ballafaqohen me babain e tyre. Pas shumë peripecish dhe një morie marrëdhëniesh midis motrave, ato ja dalin të shkojnë te babai i tyre në fshat. Filmi do shfaqet para distributorëve dhe programuesve të festivaleve dhe në këtë kuadër do të ketë biseda në lidhje me shitjen ose dërgimin në festivale, ndërkohë që filmi është në proces.

Në këtë film bie në sy aspekti tradicional-patriarkal që ka mbizotëruar në shoqërinë shqiptare për shekuj me rradhë. Pritet që premiera në Shqipëri t vijë në fund të këtij viti.