Shqipëria bëhet pjesë e “Association of Balkan National Theatres”

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, ka përfaqësuar Shqipërinë në një takim të organizuar në Sofie të Bullgarisë, me qëllim krijimin e shoqatës “Associations of Balkan National Theatres”.

Në këtë konferencë për shtyp ishin të ftuar të gjithë Drejtorët e Teatrove Kombëtare të Ballkanit: Rumania, Sllovenia, Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria.

Ky takim ka shërbyer si një pikënisje për të filluar bashkëpunimin mes Teatrove Kombëtare Ballkanike dhe u finalizua me nënshkrimin e një memorandum nga të gjitha palët që ishin pjesë.

Hervin Çuli ka publikuar në profilin e tij në facebook, një foto krah drejtorit të Teatrit Kombëtar të Sofies, Marius Donkin. Në katër vitet që Çuli ka qenë në krye të Teatrit Kombëtar, janë vendosur në skenë vepra të rëndësishme.

Qëllimi i kësaj shoqate është shkëmbimi i eksperiencave kulturore, krijimi i bashkëproduksioneve, organizimi i workshop-eve, krijimi i një rrjeti informativ mes Teatrove Kombëtarë të Ballkanit dhe organizimi i një festivali Teatror Ballkanik në një nga kryeqytet e vendeve pjesëmarrëse.

Ndërkohë, sot është afati i fundit për të dorëzuar dosjet e të gjithë kandidatëve për Drejtor të Teatrit Kombëtar në Ministri. Deri më tani, kandidatët që e kanë bërë publike konkurrimin e tyre janë Ema Andrea, Laert Vasili dhe Genc Fuga. Zëra brenda teatrit konfirmojnë se Çuli pritet të rikandidojë për një mandat të dytë.