Shkodra në festë për 85- vjetorin e të madhes Tinka Kurti

Një nga ikonat e kinematografisë shqiptare, aktorja Tinka Kurti, feston ditëlindjen e saj të 85 në 17 dhjetor.

E pikërisht me këtë rast, Teatri “Migjeni” në Shkodër ka organizuar një event në nder të aktores, e cila do të jetë e pranishme për të festuar ditëlindjen në teatrin ku edhe është rritur profesionalisht.

“Tinka e Përjetshme” quhet takimi që do të mbahet për aktoren në këtë teatër në orën 11:00, ku më pas do të shfaqet filmi “Yjet e së Ardhmes” në orën 18:00.

Tinka Kurti u ngjit për herë të parë në skenë në moshën 16 vjeçare dhe e kaloi një pjesë të madhe të jetës së saj në këtë qytet, ku u aktivizua në teatrin e Shkodrës. Më 1947 u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe dhe shumë e kulturuar.