Së shpejti shpallen fituesit e Çmimeve “KULT”! Risitë në këtë vit të vështirë për të gjithë

Kjo periudhë e vitit, për 15 vite me radhë i dedikohej artistëve shqiptare. Akademia “KULT” edhe këtë herë, pavarësisht vështirësive në kohë pandemie, i ka kushtuar një rëndësi të veçantë prurjeve në botën e artit shqiptar.

Në respekt të traditës 15-vjeçare të Çmimeve “KULT”, në këtë periudhë të vitit organizohej mbrëmja mbarëkulturore e mbarëkombëtare e shpalljes së nominimeve dhe fituesve.

Misioni i Akademisë “KULT” për promovimin e vlerave artistike dhe kulturore më të arrira bëhet edhe më i domosdoshëm e kuptimplotë në kushtet kur jeta kulturore është thuajse e paralizuar dhe kur gjithçka tjetër, që nga pandemia, ekonomia e deri tek politika, tentojnë të mos i lenë asnjë hapësirë dimensionit shpirtëror e kulturor.

Kështu Juria e Nderit, e përbërë prej 184 anëtarësh ka bërë përzgjedhjen e tyre dhe shumë shpejt pritet të shpallen të nominuarit e këtij viti për Çmimet “KULT”.

Secili anëtar i Jurisë së Nderit të Çmimeve “KULT” ka bërë zgjedhjen e tij përmes një formati online të krijuar enkas për këtë eveniment, pavarësisht kushteve të jashtëzakonshme të krijuara nga pandemia e Covid-19.

Këtë vit pjesë e Çmimeve “KULT” janë 11 kategori arti, për të cilat do shpallen fituesit: Artisti Pamor i Vitit, Libri Artistik i Vitit, Libri Studimor i Vitit, Përkthimi më i Mirë i Vitit, Regjisori më i Mirë i Vitit, Aktori i Vitit, Aktorja e Vitit, Balerini i Vitit, Instrumentisti i Vitit, Interpretuesi Lirik i Vitit dhe Kënga e Vitit.

Edhe pse 2019-a ishte një vit i vështirë, prurjet kanë qenë të shumta.

Në konkurrim janë 370 autorë me librin e tyre artistik, 57 autorë me libra studimorë dhe 130 përkthyes të librave më të mirë botërorë, nga të cilët do të shpallen 6 të nominuar për çdo kategori.

Janë 45 artistë pamorë, 39 regjisorë në garë për shfaqjet e tyre, 173 aktorë dhe 93 aktore, të cilët konkurrojnë për Çmimet “KULT”. Gjithashtu janë 24 balerinë, 370 këngëtarë, 50 instrumentistë dhe 51 interpretues lirikë në garë për t’u shpallur më i miri.

Pavarësisht vështirësive të vitit të kaluar, duke risjellë në vëmendje edhe tërmetet, artistët shqiptarë ishin aty duke punuar fort për të na dhënë pak paqe në ato ditë të vështira. Për këtë arsye Akademia “”KULT” zgjodhi të sjellë sërish eventin kulturor, për t’u dhënë atyre rëndësinë e merituar.

Shumë shpejt pritet të shpallen edhe 6 të nominuarit për çdo kategori e më pas fituesit e Çmimeve “KULT”.

Çmimet e këtij viti mundesohen nga Banka Credins dhe çelësi Media Group.