Rikthehet shfaqja “Rojat e Taxhit”, këtë rradhë e gjeni në Teatrin Kombëtar

“Rojat e Taxhit” është një vepër teatrale, që do të rikthehet për publikun kryeqytetas në sallën e Teatrit Kombëtar më 15 shkurt, pas shfaqjes në TKE.

Në këtë shfaqje do të trajtohet historia e Humaxhunit dhe Baburit, dy shokë të ngushtë dhe njëkohësisht roje në ushtrinë perandorake të mbretit të Hindustanit, Shah Xhahanit. Ata kanë privilegjin që të jenë roje të “Taxh Mahalit”, dedikimit epik që mbreti i bëri gruas së tij të vdekur Mumtaz Mahal. E pikërisht, ngjarjet e veprës zhvillohen një ditë para se ky monument të hap dyert për botën.

Por, gjithçka fillon të kriset midis dy shokëve kur perandori u jep secilit prej tyre një detyrë të vështirë për të realizuar. Në “Rojat e Taxhit” eksplorohet bukuria, pushteti, autokracia, rezistenca dhe besnikëria e verbër: Kjo është historia komike dhe e trishtuar e një miqësie të thellë, që testohet e thyhet nga rrethana ekstreme e brutale.

Kjo vepër do të vazhdojë të shfaqet për 4 ditë rresht, pra më 15-16-17-18 shkurt, ora 19:00.

Regjisor: Altin Basha

As. Regjisor: Elis Mataj

Interpretojnë: Gazmend Gjoka & Lulzim Zeqja

Kompozitor: Endri Sina