Revista italiane: “Tirana, një Kryebashkiak i ri, një kryeqytet dinamik”

Want create site? Find Free WordPress Themes and plugins.

“Një kryeqytet dinamik.” Kështu e përkufizon Tiranën në numrin e saj të fundit revista prestigjoze italiane “L’Espresso”, dhe kjo jo pa arsye.

Për këtë, ajo i referohet pikërisht zhvillimit që ka pësuar qyteti dhe disa prej reformave më të rëndësishme dhe të guximshme që po ndërmerr prej dy vitesh administrata e re e Bashkisë së Tiranës e drejtuar nga Erion Veliaj, të cilat përfshijnë një sërë çështjesh që mbeten sfida edhe për qytete të tjera të zhvilluara në botë, si pastrimi, transporti publik dhe uji i pijshëm.

Në artikullin prej 6 faqesh, “L’Espresso” i ka kushtuar një hapësirë të gjerë Shqipërisë, ku sjell për lexuesit e saj disa histori suksesi të dhjetëra italianëve që kanë zgjedhur të studiojnë, punojnë dhe jetojnë në vendin tonë, por ndalet në mënyrë të veçantë edhe te transformimi që po pëson kryeqyteti.

Në artikullin me titullin “Ciao mamma, vado in Albania”, autori i kësaj specialeje për Shqipërinë, i ka kushtuar vëmendje të veçantë Tiranës, ku vë në dukje sfidat me të cilat përballet kryeqyteti i 1 milion banorëve, si dhe zgjidhjet që ka ofruar Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Veliaj, duke bashkëpunuar në mënyrë të veçantë me disa nga qytetet më të zhvilluara italiane, si Firenze apo Verona. Për të gjitha këto, autori thekson se ka plot arsye, jo vetëm për ta vizituar, por edhe për të jetuar dhe bërë biznes në Shqipëri, dhe në mënyrë të veçantë në Tiranë.

Revista e përshkruan kështu Tiranën: “Është si të tregosh historinë e arkitekturës italiane në Tiranë (ministritë, Pallati i Kulturës, Muzeu Kombëtar, Akademia e Arteve, Banka Kombëtare, plani i Bosio-s në ’39 deri në master-planin e Stefano Boerit për 2030) të endura me dekorin, teksturën tradicionale shqiptare në ngjyrat e flamurit të shqiponjës së zezë në fushën e kuqe: frymëzuar nga vetë kryeministri Edi Rama, edhe ai vetë një artist”.

 Më poshtë pjesë nga artikulli i “L’Espresso” kushtuar Tiranës.

 Një Kryebashkiak i ri, një kryeqytet dinamik

“Sikurse këndonte Guçini, duhet të dish të zgjedhësh. “Italia ofron një menu të pasur, shembuj të shkëlqyer, por jo çdo qytet di të bëjë gjithçka. Për çdo projekt shohim cili është partneri më i mirë me të cilin mund të bashkëpunojmë dhe të mësojmë prej tij”. Erion Veliaj është 38 vjeç dhe prej dy vitesh e gjysmë është kryebashkiak i Tiranës. Që në 7 të mëngjesit është në lëvizje për të inspektuar ato çfarë nuk shkojnë në qytet, sinjalizime që raportohen nga një aplikacion që e kanë shkarkuar në të gjithë celularët e qytetit (Tirana Ime).

Me një buxhet vjetor prej 100 milionësh, gati sa gjysma e një komune mesatare italiane, duhet të ofrojë shërbime për një kryeqytet prej 980 mijë banorësh, i cili është 5-fishuar që prej rënies së regjimit komunist; vijnë 70 banorë të rinj në ditë, “një injektim i vazhdueshëm me rini dhe talent”.

Për festat, koncertet dhe filmat, është krijuar “Kryebashkiaku i natës”, detyrë të cilën ia ka besuar një saksofonisti me pirsing dhe tattoo.

Veliaj ka qenë edhe Ministër i Punës, “por, kjo është puna më e bukur që mund të kisha shpresuar, për ta ribërë nga fillimi qytetin ku kam shkuar në shkollë, ku kam luajtur me top, ku kam dhënë puthjen e parë. Një sfidë e vazhdueshme, adrenalinë e pastër”.

Pra, zgjedhim. Për shembull, riciklimi i mbetjeve. “Menaxhohej nga privati, Tirana ishte si Roma, male mbeturinash kudo”. Dhe në fakt, nuk fluturoi drejt Romës, por në Veronë: dhe në shtator 2016 u krijua Eco Tirana, 49% në pronësi të kompanisë veroneze Agsm Holding dhe 51% i ka kryeqyteti (Tirana).

Një tjetër problem i qyteteve të mëdha, transporti: “Dy muaj më parë isha në Firence, për të studiuar së bashku me kryebashkiakun Dario Nardella, sistemin e tyre të “Bike Sharing”: me 300 ditë në vit me diell, do të bëjmë një revolucion. Me ndihmën fiorentinase do të instalojmë edhe ndriçimin e ri LED në qytet. Funksionon kështu: Një marrëveshje mirëkuptimi mes kryebashkiakëve dhe pastaj futen në veprim ndermarrjet bashkiake. Për ujin do të punojmë me qytetin e Barit dhe muajin e shkuar ishte këtu Michele Emiliano; bashkë me Izraelin ata janë më të mirët, sepse nuk kanë ujë dhe ia dinë mirë vlerën…”/abcnews.al

Artikulli origjinal tek “L’Espresso”:

http://espresso.repubblica.it/internazionale/2018/01/08/news/tirana-la-capitale-dinamica-dell-albania-che-sta-facendo-i-conti-col-passato-1.316777

Did you find apk for android? You can find new Free Android Games and apps.

Vendos një përgjigje

Ju lutemi të vendosni komentin tuaj !
Ju lutemi të vendosni emrin tuaj