Regjisori Rijani sjell “Xhelatët”

Drama “Xhelatët”, e shkruar nga autori Martin McDonagh, është projekti i fundit që realizohet në skenën e teatrit të Maqedonisë nga regjisori Qëndrim Rijani. Rijani ka sjellë vepra teatrore të ndryshme, duke zhvilluar bashkëpunime me disa teatro. Këtë herë “Xhelatët”, produksion i Teatrit Kombëtar të Maqedonisë, do të vijë në skenë te “arTurbina”, duke sjellë ngjarjet e viteve 1965

Në dramën “Xhelatët” regjisori vë në skenë rreth 15 personazhe, në rolet e tyre luajnë aktorët si Lulzim Zeqja, Fliorian Agalliu, Arben Derhemi dhe të tjerë artistë të njohur. Regjisori Rijani për medie ka theksuar se vepra teatrore “Xhelatët”, që është me përkthim në shqip nga Artur Lena, është nga më të njohurat dhe me vlerësime në skena të teatrove të ndryshme. Sipas tij, është një vepër tepër aktuale në raport me atë që trajton në ngjarjet e saj.

‘Xhelatët’, një vepër që përveç faktit se ka rrëmbyer çmime, është një vepër shumë e re, e cila shumë shpejt po bëhet pjesë e teatrove më të mira të botës. Është edhe tepër aktuale në raport me temën që trajton. Gjithashtu një ndër motivet është edhe lloji i teatrit që ofron si vepër”, shprehet për medie Rijani. Skenografe dhe kostumografe në vepër është Berina Kokona dhe kompozitor është Fatos Lumani.

Veprat e autorit Martin McDonagh janë shfaqur edhe më parë në skenat e teatrit, duke sjellë në role aktorë të ndryshëm. Drama “Xhelatët” është shkruar këto vitet e fundit dhe në vetvete sipas regjisorit Qëndrim Rijani përmban edhe një aktualitet me vendin tonë vite më parë në kohën e komunizmit

“Vepra teatrore ‘Xhelatët’ trajton temën e dënimit me varje. Përralla zhvillohet në Anglinë e viteve 1965. Temë e cila përkon me ndodhitë e po të njëjtave vite në Shqipëri”, thekson ai.

Në skenë regjisori ka zgjedhur aktorë të njohur, por për rolin e Shirlit në teatër janë zhvilluar edhe audicione. “Audicione kam zhvilluar vetëm për rolin e Shirlit. Rol i një vajze 15-vjeçare. Audicioni më ka lënë vërtet një shije shumë shpresëdhënëse për morinë e vajzave dhe aktoreve të reja, që po dalin në tregun tonë të teatrit. Ndërsa aktorët tjerë të veprës janë aktorë të teatrit dhe disa të jashtëm. Aktorë të cilët unë i kam parë në role të ndryshme në vitet e fundit”, shprehet ai.

Qëndrim Rijani vlerësohet se është mjaft aktiv në skenën e teatrit brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj. Në aktivitetin e tij me teatrin ai është vlerësuar me çmime të ndryshme në festivale. Në Tiranë dy vjet më parë ai solli në skenën e teatrit ‘Metropol” shfaqjen “39 hapat”.