Realiteti i hidhur dhe i pashmangshëm drejt të cilit po shkon njerëzimi, pasqyruar nëpërmjet syrit të errët të “Black Mirror”

Një prodhim britanik nga Charlie Brooker, seriali “Black Mirror” është rinovuar për sezonin e tij të pestë.

Që prej daljes së serisë së tij të parë “The National Anthem”më 4 dhjetor të vitit 2011, publiku i ekranit të vogël kuptoi se Black Mirror nuk do të ishte një serial dosido.

Fantashkencë, satirë, thriller psikologjik dhe antologji- janë zhanret që e identifikojnë më së miri këtë serial. Në qendër të ekzistencës së vet ai ka njeriun, varësinë e tij ndaj medias dhe të ardhmen e errët që e pret atë.

Çdo seri e Black Mirror është ndryshe, duke eksploruar histori dhe njerëz të ndryshëm teksa jetojnë në një realitet që mendohet të jetë e ardhmja jonë. Teknologjia është kyçi i të gjithë terroreve, por edhe ndoshta porta për një jetë më të mirë.

Nuk ka dhe nuk mund të ketë një pasqyrues më të mirë të realitetit në të cilin ne po jetojmë se ai që përcjell Black Mirror.

Seria e tij e parë tregon pa perde varësinë e njeriut ndaj medias dhe besueshmërinë e verbër që ai i fal këtij mediumi. Si një satirë mbi këtë publik, kryeministri britanik performon një akt të turpshëm live në televizionin kombëtar për të shpëtuar princeshën. Pas një viti, ai rizgjidhet në postin e tij, duke vërtetuar se “gjithçka është në rregull kur bëhet në emër të një kauze më të madhe”.

“Nosedive” që është seria e parë e sezonit të tretë, tregon një të ardhme ku njerëzit jetojnë bazuar në ‘liket’ që i japin njëri-tjetrit virtualisht. Kështu, njerëzit e pasur kanë më shumë ‘yje’ (rating) dhe e anasjellta është për të varfërit. Askush nuk guxon të shajë askënd dhe nuk ka miqësi të vërteta; Virtualja është gjithçka që ekziston në një botë ku interaktiviteti i drejtpërdrejtë me njerëzit ka shkuar në boshtin më të fundit. A ju kujton ndonjë gjë ky koncept?

Related image
Nosedive

Të fiksuar pas smartphone-it që ne kemi në dorë, shumë prej të rinjve, por kohët e fundit edhe mosha e mesme, i kushtojnë një dozë të madhe kohe rrjeteve sociale, duke harruar të flasin edhe me personin që kanë përballë. Duket se “liket” dhe komentet janë bërë ndër format e vetme të komunikimit që ne po përdorim rëndom…

Nga ana tjetër kemi “San Junipero”, një botë virtuale që i lejon njerëzit e sëmurë dhe ata që kanë ndërruar jetë, të kalojnë ndërgjegjien e tyre artificiale në këtë vend, për të jetuar aty përgjithmonë. A nuk ju duket një skenar i njohur? Realitetet virtuale po bëhen gjithmonë e më të pranishme në jetën tonë, ku video-lojrat e ndryshme po e përdorin rëndom këtë teknologji. E fundja, përse të mos jetë San Junipero e ardhmja jonë?

Image result for black mirror san junipero
San Junipero

Ndoshta nuk mund të matet në fjalë, por impakti që “Black Mirror” i lë çdo shikuesi pas përfundimit të një serie është tronditës. Ti mbushesh nga një sërë ndjenjash frustrimi, teksa kupton se gjatë gjithë kësaj kohe je mashtruar nga realiteti që të rrethon; E ndërkohë, je i etur të mësosh më shumë… Fundja kjo është aftësia e këtij mediumi dhe teknologjisë: Përthithja më e thellë e njeriut drejt vorbullit të tij të pafundëm!

Trailer i sezonit të parë: