Programi i filmave në kinema për këtë javë në Tiranë

“The Shape of Water”, fitues i çmimit “Filmi më i mirë” në ceremoninë e 90-të të Oscar, do të vijë premierë në kinematë Imperial, Cineplexx e Millenium më 8 mars.

Vendosur në vitin 1960, regjisori meksikan i filmit, Guillermo del Toro, arrin që në mënyrë të magjishme të na sjelli një histori përtej imagjinatës. Një grua memece, punon si shërbëtore në një ndërtesë kërkimesh sekrete të qeverisë amerikane dhe aty papritur, krijon një marrëdhënie me një krijesë amfibe, që mendohet të jetë Zoti i llojit të vet. Ky është një film për të mos u humbur, pasi eksploron më së miri natyrën njerëzore dhe skajet në të cilat shkon dashuria e vërtetë.

“Call Me By Your Name” është një film ndërkombëtar, që u kandidua për “Filmin më të mirë” në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar e mori pjesë në shumë festivale të tjerë botërore. Ai mori çmimin e “Skriptit më të mirë të adaptuar”.

Një dramë romantike, ky film eksploron dashurinë e ndaluar midis Timothee Chalamet dhe Armie Hammer në verën e vitit 1983 në Italinë Veriore. Fitues i disa çmimeve, ai do të shfaqet në kinemanë Imperial, Cineplexx e Millenium më 8 mars.

“Martesa” është një film kosovar që do të shfaqet premierë në kinemanë Cineplexx më 8 mars.

Intepretuar nga aktorët Adriana Matoshi, Alban Ukaj e Genc Salihu, ky film rrëfen ngjarjet e dy shokëve, Bekimit dhe Nolit, të cilët bien në dashuri me njëri-tjetrin kur ishin të rinj. Vitet kanë kaluar dhe Bekimi do të martohet me Anitën, me të cilën pret edhe një fëmijë. Por gjithçka ndryshon kur Noli kthehet nga Parisi dhe dy shokët e dikurshëm kuptojnë se dashuria e tyre nuk ka rreshtur kurrë.

Një film që arriti suksese të jashtëzakonshme në premierën e tij në Kosovë, mos e humbisni “Martesa”, që eksploron një temë tabu për Shqipërinë.