Producenti amerikan publikon albumin e tij me këngë popullore shqiptare

Joe Boyd

Joe Boyd është një emër i dëgjuar për fansat e muzikës së viteve ’60, kjo pasi ai ka qenë njeriu pas muzikës së Pink Floyd, Nick Drake, 10.000 Maniacs, etj.

Pas një dekade shkëputje nga industria e muzikës, Boyd është rikthyer në treg me një album që përmban muzikë popullore shqiptare, pjesërisht nga jugu, të regjistruar në vendin tonë.

Gjatë një interviste radiofonike, producenti së bashku me këngëtarët shqiptarë, kanë folur rreth këngëve që janë pjesë e albumit dhe domethënien e tyre.

“’Tana’ është një prej këtyre këngëve, e cila vendoset në malet e jugut, ku një bari dhe qeni i tij bien pre e banditëve. Ai e di se do ta vrasin; Delet ia kanë vjedhur, qenin ia kanë vrarë. Kjo këngë has në forma të ndryshme në të gjitha trevat ku flitet shqip.”-, ka treguar ai.

Joe Boyd ka shprehur pasionin e tij pas polifonisë labe, ku sipas tij, isopolifonia është aq e vjetër sa Homeri. “Ndoshta këtë këndonin sirenat kur e ndillnin Odisenë drejt shkëmbinjve.”

Ai është shprehur se isopolifonia është një lloj muzikë e veçantë, akustike dhe shpreson se me këtë album do t’i japi asaj famën për të cilën ka nevojë që të lulëzojë përtej rajonit.

Për vite me rradhë kjo formë muzike ishte e izoluar nga diktatura komuniste, duke i shtuar këtu edhe mungesën e shtëpive diskografike të mirëfillta në këtë vend dhe izolimin gjeografik të Shqipërisë, ajo nuk është e njohur nga pjesa tjetër e botës.”-, ka përfunduar Joe Boyd.

Disa nga këngët e albumit të tij janë: “Tana”; “Penxherenë e Zotrisë Sate”; “Trëndafili Fletë-Fletë”; “Fol moj mike një fjalë”.