Pranvera vjen me shumë biçikleta

Për të gjithë adhuruesit e shëtitjes me biçikletë e jo vetëm, dita e fundit e muajit mars do të sjelli një aktivitet të dashur për ta.

Critical Mass organizon të premten më 30 mars, një pedalim në të gjitha rrugët e qytetit. Kjo bëhet me qëllim për të festuar ardhjen e pranverës, por edhe për të nxitur reagime mbi të drejtat e pedaluesve në rrugë, sigurinë e tyre dhe mbi ajrin e ndotur.

Shprehe dashurinë tënde për Tiranën, biçikletën dhe mjedisin! Ftoni gjithë shoqërinë tuaj, merrni biçikletën dhe bashkohuni me këtë lëvizje! Takimi bëhet tek Sheshi “Skënderbej”, ora 18:00.

Critical Mass është një lëvizje shoqërore, e pa formalizuar në format tipike të shoqatave, organizatave apo bizneseve. Nuk ka një hierarki të përcaktuar, që do të thotë se nuk ka një lider apo një person që është përgjegjes për grupin. I vetmi formalizim i aktivitetit është përcaktimi paraprak i një orari për mbledhjen e çiklistëve, si dhe një itinerari të përafërt që do të ndiqet.

Nuk ka një kryesi zyrtare që i merr këto vendime, por thjesht zëri i të gjithë pjesëmarrësve, që vendosin duke i shkruar njëri- tjetrit dhe duke përhapur fjalën në qytet. Shpeshherë çiklistët që janë duke kryesuar grupin marrin dhe vendimin që të ndryshojnë itinerarin, gjë që ndiqet nga i gjithë grupi. Mënyra sesi funksionon organizimi i një Critical Mass, është quajtur shpesh “Një rastësi e organizuar”.